Botë
Gjermania do të furnizojë kurdët me armatim
21.08.2014 14:38
Në një ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme të saj, Qeveria gjermane po shqyrton mundësinë...

Në një ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme të saj, Qeveria gjermane po shqyrton mundësinë e furnizimit me armë të kurdëve në Irakun e Veriut, në luftën kundër militantëve të ISIS-it.
Arsenali, që do të dërgohet në rast nevoje, nuk përmban thjesht aksesorë, si dylbi ushtarake apo jelekë anti-plumbi, por armatime të rënda.
“Gjermania, do të veprojë me maturi të veçantë në këtë aspekt dhe çdo veprim do ta koordinojë me aktorët ndërkombëtarë”- tha shefi i diplomacisë, Frank-Walter Steinmeier.
Ky hap argumentohet me përparimin e shpejtë dhe mënyrën veçanërisht brutale të militantëve islamikë. Moskalimi në aksion, prek interesat gjermane të sigurisë.
“Pasojat do të ishin shumë të mëdha”- është shprehur Steinmeier.
Krahas Gjermanisë, gatishmërinë për t’i dërguar armë luftëtarëve kurdë e kanë shprehur edhe Franca, Italia e Britania e Madhe. Problemi i armatimit të kurdëve qëndron edhe te mosnjohja e teknikave të armëve moderne.
Ata janë të familjarizuar me armë të tipit rus, kallashnikovë AK-47, por nuk dinë të përdorin armë të shpejta si G36-at gjermane.
Ndaj, në këto kushte, është e pamundur që kurdët të pajisen me armë të teknologjisë së lartë, por po shqyrtohet edhe mundësia e trajnimit të instruktorëve kurdë.
