Venezuela, gjykata i ndalon udhëtimin jashtë vendit Guidos
30.01.2019 12:08
Gjykata Supreme në Venezuelë ka urdhëruar ndalim-udhëtimin për liderin e opozitës....

Gjykata Supreme në Venezuelë ka urdhëruar ndalim-udhëtimin për liderin e opozitës, i njohur si president i përkohshëm nga SHBA-të dhe disa vende tjera, Huan Guaido, si dhe ka ngrirë llogaritë e tij bankare. Masa e Gjykatës është marrë pasi Guaido e shpalli veten president i përkohshëm gjatë javës së kaluar.
Më 29 janar, prokuroria në Venezuelë akuzoi Guaidon se ka ndihmuar vendet e huaja të ndërhyjnë në çështjet e brendshme dhe i kërkuan Gjykatës së Lartë ta hetonte atë. Gjykata, e cila përbëhet nga besnikët e Maduros, u pajtua me kërkesën, duke ndaluar atë të largohet nga vendi dhe duke ia ngrirë llogaritë bankare.
Por Këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-ve, Xhon Bolton, paralajmëroi për "pasoja të rënda për ata që përpiqen të shkatërrojnë demokracinë dhe të dëmtojnë Guaidon". Ndërkohë, presidenti i kontestuar, Maduro përsëriti se ishte i gatshëm për bisedime me opozitën "për hir të paqes dhe të ardhmes së saj", me pjesëmarrjen e ndërmjetësve ndërkombëtarë.
Derisa Uashingtoni ka vënë sanksione ndaj kompanisë së naftës në Venezuelë, Rusia është zotuar të mbështesë presidentin e kontestuar Nicolas Maduro dhe e kritikoi Uashingtonin për vendosjen e sanksioneve ndaj kompanisë së naftës në Venezuelë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov akuzoi Uashingtonin për "vendosjen e një kursi për ndryshimin e regjimit në mënyrë të paligjshme".
