FUTBOLL
Mario Baloteli largohet nga Milani
21.08.2014 14:48
Mario Baloteli i jep fund aventurës së tij me Milanin...

Pas dy sezonesh larg pritshmërive të klubit dhe tifozëve, sulmuesi italian ndryshon skuadër dhe pranon të rikthehet në kampionatin anglez këtë herë për të luajtur me Liverpulin.
Klubet kanë rënë dakord në lidhje me shifrat financiare. Liverpuli do të paguajë 20 milion euro për kartonin e futbollistit.
Në pritje të zyrtarizimit mbeten për t’u përcaktuar vetëm detajet e kontratës së re të Mario Balotelit.
Sipas mediave angleze, lojtari do të firmosë për 4-vjet, ndërsa do të fitojë rreth 6 milion euro në sezon.
Mario Baloteli është një nga lojtarët më të talentuar, por gjithmonë ka qenë në qendër të kritikave për jetën e tij jashtë fushës së lojës.
Pikërisht karakteri i vështirë ka ndikuar në karrierën e Balotelit.
Në fillim te Interi dhe më pas te Mançester Siti, 24-vjeçari nuk arriti të bëhej kampioni që të gjithë prisnin. Më pas transferimi te Milani.
Për shumë u pa si pika e kthesës, por edhe te skuadra italiane Baloteli vuajti në fillim përshtatjen, më pas me dëmtimet dhe mënyrën ekstravagente të jetës jashtë futbollit.
Mund të jetë Liverpuli skuadra e duhur, megjithatë trajneri Brajan Roxhers, ashtu si kolegët e tij do ta ketë të vështirë të menaxhojë lojtarin.
Me Balotelin që ka prerë biletën drejt Liverpulit, Milani ka gjetur zëvendësuesit e tij në sulm.
Përveç Alesio Çerçit, klubi italian po punon për tranferimin e një mes sulmuesit të Mançester Sitit Alvaro Negredo dhe atij të Portos Xhekson Fernandez.
