Maqedoni
Përurohet salla sportive në Kamjan, 600 mijë euro investim, kushte bashkëkohore
30.01.2019 14:51
Shkolla “Sabedin Bajrami” në Kamjan të komunës së Bogovinës, u bë me sallë të re sportive....

Shkolla “Sabedin Bajrami” në Kamjan të komunës së Bogovinës, u bë me sallë të re sportive, një investim ky prej mbi 600 mijë eurosh, me një hapësirë prej 1300 metrave katrorë, me të gjitha kushtet dhe rekuizitat sportive për futboll, hendboll, basketboll e gjimnastikë. Kjo shkollë nuk ka pasur asnjëherë sallë sportive dhe ndërtimi i saj është kërkuar në vazhdimësi, që nga viti 1979, kur shkolla u ndërtua. Nga komuna kërkojnë investime nga MASh edhe për rregullimin e infrastrukturave shkollore, për të rritur cilësinë në arsim në shkollat e Bogovinës.
Ideja për ndërtimin e sallës aktuale dhe përpjekjet e para u bënë nga ish ministri i arsimit, Abdilaqim Ademi, i cili nuk arriti dot të përjetojë gëzimin e fëmijëve dhe banorëve të Kamianit sot. Gjithsesi, ideja fillestare u bë realitet dhe përveç nxënësve, kjo sallë do të jetë në shërbim edhe të banorëve për rekreacion dhe për aktivitete tjera sportive.
Ndërtimi i sallave sportive ishte projekt i qeverisë së kaluar që planifikonte ndërtimin e 142 sallave sportive në mbarë vendin, që vazhdon edhe sot nga qeveria aktuale.
VISAR SADIKI
