Shkrihen akujt në arktikun kanadez, pas 40 mijë vjetësh çlirohet toka dhe bimët
Arktiku kanadez mund të jetë duke përjetuar shekullin më të ngrohtë në histori, të paktën në 115 mijë vitet e fundit...

Akullnajat kanë shkrirë aq shumë, sa që janë zbuluar toka që kanë qëndruar të fshehura për të paktën 40 mijë vitet e fundit.
Në studimin e publikuar në revistën “Nature Communications”, shkencëtarët sqarojnë se kjo nuk është thjeshtë një koincidencë.
Panorama antike, po zbulohet në një rajon të gjerë gjeografik në ishullin Baffin.
Shkencëtarët kanë marrë 48 myshqe dhe likene, të gjetura pikërisht në vendet ku i ka mbuluar akulli që u zgjerua me shpejtësi mijëra vite më parë.
Pjesa më e madhe e tyre kanë qëndruar nën akull për të paktën 40 mijë vjet. Edhe pse janë të lashta, bimët e mbledhura janë të të njëjtit lloj me ato që sot ende rriten në këtë zonë.
“Zbulimet mbi moshën e bimëve, kombinuar me të dhënat e temperaturave, sugjerojnë se ky është shekulli më i nxehtë në rajon në rreth 115 mijë vjet”, – thonë shkencëtarët dhe sipas tyre, këto trende do të vazhdojnë deri sa akulli të zhduket në tërësi.
