Maqedoni

Gjuha e urrejtjes në media dhe internet, KEM: Ndikim më të madh ka politika

30.01.2019 15:18

Gjuha e urrejtjes nëpër media dhe internet, në periudhën e kaluar ka qenë në një nivel shqetësues....

Nga Këshilli për Etikë në Media thonë se rolin më të madh për nxitje të gjuhës së urrejtjes dhe polarizim të shoqërisë e ka politika. 
 
“Politika ndikon në rritjen ose zvogëlimin e shpërndarjes së gjuhës së urrejtjes dhe këtë e dëshmojnë edhe të dhënat nga ankesat që na janë dorëzuar. Gjatë vitit 2017 nga të gjitha ankesat, 13% prej tyre kanë qenë të lidhura me gjuhën e urrejtjes, ndërkaq në vitin 2018 ka pasur rritje për 10%, gjegjësisht në 23.7%. Sa më shumë që politika krijon polarizime e ndarje, aq më shumë shpërndahet gjuha e urrejtjes”,- deklaroi kryetari i Komisionit për ankesa në KEM, Mirçe Adançevski. 
 
Ky shtim i gjuhës së urrejtjes ka bërë të patjetërsueshëm krijimin e një rrjeti për dedektimin, parandalimin dhe zbutjen e fenomenit. Rrjeti u formua me përkrahje të Misionit të OSBE-së në Shkup dhe do ta udhëheqë Këshilli për Etikë në Media. 
 
“Gjuha e urrejtjes nëpër media ka bërë dëm në shoqëri. Këtë e konfirmojnë edhe ankesat që janë bërë në KEM. Kjo na ka bërë që të formojmë një rrjet të tillë, në mënyrë që bashkërisht ta luftojmë gjuhën e urrejtjes”,- theksoi drejtoresha e KEM, Marina Tuneva.
 
“Gjatë vitit 2018, KE nënvizoi se korniza ligjore për këtë çështje në Maqedoni është në rregull, por nuk gjen zbatim, sidomos në mediat në internet ku shkelet etika gazetareske. Misioni i OSBE-së e përkrah Marrëveshjen e Ohrit e cila ka për qëllim barazinë. Jam i sigurt se ky rrjet do ta ulë gjuhën e urrejtjes, do t’i analizojë arsyet për paraqitjen e urrejtjes dhe krimeve nga urrejtja”,- tha ambasadori i OSBE-së në Shkup, Klemens Koja.
 
Nënshkruesit e deklaratës për luftën kundër gjuhës së urrejtjes në media dhe internet janë përfaqësuesit e Shoqatave të Mediave dhe Gazetarëve, Qeverisë, organeve shtetërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, organizatave joqeveritare, subjekteve arsimore dhe hulumtuese nga fusha e mediave dhe mbrojtja e lirisë së të shprehurit dhe të drejtave të njeriut.
 
REJHANE BUSHI METAJ