Maqedoni
Republika e Maqedonisë së Veriut, së shpejti fillon ndryshimi i tabelave me emrin e ri
30.01.2019 16:38
Pas ratifikimit nga Parlamenti grek të Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO...

Pas ratifikimit nga Parlamenti grek të Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, fillon edhe zyrtarisht përdorimi i emrit të ri të vendit “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Pas hyrjes në fuqi të amendamenteve 33, 34, 35 dhe 36 të Kushtetutës, 7 ditë pas ratifikimit të protokollit, menjëherë do të fillojë edhe ndryshimi i emrit në tabelat shtetërore nëpër të gjitha institucionet. Për të njëjtën procedurë, rekomandime do të marrin edhe njësitë e vetëqeverisjes lokale.
“Ministritë përkatëse, organet shtetërore dhe institucionet, ndërmarrjet publike dhe shoqatat aksionare në kuadër të shtetit, në përputhje me afatin e paraparë për fuqizimin e amendamenteve do të detyrohen të bëjnë ndërrimin e tabelave në vendkalimet kufitare, përfaqësitë diplomatike dhe konsulare si dhe në hyrjet e institucioneve”,- deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Qeveria do të formojë grupe pune të cilat do ta monitorojnë zbatimin e këtyre dispozitave nga të gjitha institucionet. E padyshim që në të gjitha ndryshimet do të duhet të respektohet Ligji për përdorimin e gjuhëve.
“Shqiptarët janë 20 për qind në nivel shtetëror. Në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, të gjitha ndryshimet do të harmonizohen me dispozitat e ligjit”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Duke respektuar gjuhën e dytë zyrtare të vendit, në mbledhjen e fundit të Qeverisë ministrat shqiptarë debatin e kanë zhvilluar në shqip.
ZEKIRIJA MEXHITI
