Maqedoni
Incidenti në Shutkë, 7 persona në arrest, paraburgim për 5 prej tyre
30.01.2019 16:50
Shtatë persona janë arrestuar për sulmin ndaj dy policëve që ndodheshin jashtë orarit të tyre të punës, në komunën e Shuto Orizarës...

Shtatë persona janë arrestuar për sulmin ndaj dy policëve që ndodheshin jashtë orarit të tyre të punës, në komunën e Shuto Orizarës, të cilët u sulmuan të hënën në mbrëmje nga turma e banorëve të kësaj lagjeje, që i morën për kidnapues.
Prokuroria ka ngritur procedurë hetimore ndaj 5 personave për veprën penale “Dhunë”.
Ata dyshohet se bashkë me persona të tjerë kanë ushtruar dhunë ndaj 3 personave, edhe pse këta të fundit kanë thënë se nuk dinë asgjë rreth ngjarjes për të cilët turma i akuzonte, madje njëri është legjitimuar se është polic.
Kjo nuk i ndaloi 5 personat e dyshuar t’i qëllojnë me grushte dhe shqelma. Ndaj tyre është caktuat masa paraburgim.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, thotë se hetimet vazhdojnë edhe ndaj personave tjerë të dyshuar në këtë rast.
“Hetimi i incidentit në Shutkë po afrohet drejt fundit. Shtatë persona u arrestuan. Janë ngritur edhe akuzat. Punohet në identifikimin edhe të disa personave që duhet të sigurohen dhe të parashtrohen parashtresa adekuate”,- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Siç thonë nga policia, incidenti ndodhi kur një e mitur thuhet se ka parë disa njerëz të panjohur, sipas saj, që detyronin me dhunë një femër të hynte në një furgon, por as dy ditë pas ngjarjes në polici nuk është paraqitur ndonjë rast tentimi për kidnapim.
Qytetarët që u mblodhën pas alarmimit nga e mitura, sulmuan makinën ku gjendej një civil dhe dy policët jashtë orarit të punës dhe i rrahën në mënyrë brutale.
Njëri nga policët vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe vazhdon trajtimi i tij në Spitalin “8 shtatori”, polici tjetër që kishte marrë plagë të lehta trupore është lëshuar për kurim shtëpiak.
SEDAT SELIMI
