Maqedoni
Zhvillimi i turizmit, nënshkruhen 12 kontratat e para me OJQ-të
30.01.2019 18:17
U nënshkruan 12 kontratat e para prej 49.3 milion denarësh me shoqatat joqeveritare nga projekti për konkurrencë lokale dhe rajonale....

Ekzekutivi në vend vlerëson se turizmi është sektori i vetëm që mundëson zhvillim të shpejtë, duke ndikuar kështu në rritjen ekonomike. Turizmi shënon rritje prej 6-7% në vit dhe kjo është arsyeja që edhe partnerët ndërkombëtarë vlerësojnë se duhet të ketë më shumë projekte dhe financa për zhvillimin e turizmit.
“Maqedonia nuk ka det, por ka liqene dhe male të mira, dhe presim që do ta zhvillojmë turizmin në këtë pjesë. Në këtë projekt pritet që kompanitë dhe shoqata të ndryshme të përfitojnë grande, me çka do të zhvillojnë turizmin, ndërsa komunat duhet ta rregullojnë çështjen infrastrukturore. Për shoqatat e qytetarëve janë ndarë 49 milionë e 300 mijë denarë, me çka pritet të përmirësohet qasja e turizmit dhe ofertat e ndryshme atraktive që do të tërhiqnin sa më shumë turistë të huaj”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
“Vitin e kaluar kam vërejtur që numri i turistëve në Maqedoni ka treguar një trend të mirë të rritjes dhe ky trend po vazhdon. Jam shumë i kënaqur që Bashkimi Europian, donon mjete për zhvillimin e turizmit dhe në bashkëpunim me qeverinë; dhe bankën botërore, besojmë se do të ndikojmë në rritjen ekonomike të Maqedonisë dhe zhvillimin e turizmit”,- theksoi përgjegjësi për sektorin ekonomik nga Delegacioni i BE-së për Maqedoninë, Frenk Janmat.
“Me të vërtetë mendojmë se Maqedonia duhet të rrisë potencialin e saj të eksportit por edhe të shërbimeve. Zhvillimi i turizmit e kërkon këtë që ne e bëjmë me projektin tonë në bashkëpunim me komunat dhe shoqatat, që të ofrojnë projekte të cilat në të ardhmen mund të ndikojnë pozitivisht në turizëm. Një ndër prioritet duhet të jetë mirëmbajtja e ambienteve turistike dhe përmirësimi i rrjetit infrastrukturor”,- u shpreh përfaqësuesi i Bankës Botërore për Maqedoni dhe Kosovë, Marko Mantovaneli.
Projekti financohet me 18 milionë euro nga Bashkimi Europian dhe nga qeveria me 3.2 milion euro. Në kuadër të tij u organizuan më shumë se 20 infosesione dhe ngjarje si dhe ka pasur bashkëpunim edhe me odat ekonomike.
GAZMEND REXHEPI
