Maqedoni
Mospagesa e kontributeve, Prokuroria nis hetime, përplasen partitë
30.01.2019 18:31
Prokuroria Publike ka hapur procedurë parahetimore pas deklarimeve nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale...

Prokuroria Publike ka hapur procedurë parahetimore pas deklarimeve nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale rreth mospagesës së sigurimit pensional në dhjetë vitet e kaluara në shtyllën e dytë pensionale, për rreth 12.000 të siguruar.
“Prokurori publik është duke i shqyrtuar akuzat e ngritura në padinë penale. Padi është ngritur kundër personave të panjohur. Është duke u hetuar nëse ka shkelje ligjore dhe pastaj eventualisht kush do të mund të ishin personat e dyshuar”,- thonë nga Prokuroria.
Kjo temë ndezi debatin edhe në kuvend, ku debatohej plani financiar i FSHS-së. Për BDI-në vazhdon të jetë e pakuptimtë akuza e bërë se nga fondi mungojnë 19 milion euro, e një ditë më pas të pohohet se eurot janë në fond, por mostranferimi i tyre është çështje teknike.
“Realisht do të kisha kërkuar edhe unë përgjigje nga drejtori se ku janë 19 milion eurot, janë te ju, te Fondi Pensional, janë te Mila Carovska apo i ka vjedhur dikush? Kemi biseduar edhe me njerëz të cilët më herët e kanë udhëhequr atë ministri, të cilët i kemi kolegë deputetë, por edhe nga arsyet të cilat i dhanë për opinionin edhe vetë ministrja dhe drejtoria e juaj të cilëve sot po ju miratojmë planin financiar edhe nga Drejtoria e Fondit, vërtetë qytetarët dhe deputetët meritojnë konkretisht se ku janë ato 19 milion euro, janë te ju, janë te Milla Carovska, apo kanë avulluar diku?”,- tha Ejup Alimi nga BDI.
Por, edhe pse paratë janë në fond, nga LSDM sërish thonë se po sigurojnë 19 milionë euro për të tejkaluar problemin e qytetarëve që nuk kanë asnjë kontribut të paguar në shtyllën e dytë pensionale.
“E dimë se ata persona janë të dëmtuar seriozisht. Ne po gjejmë zgjidhje për këtë problem, duke siguruar 19 milion euro për tejkalimin e problemit për ata 12 mijë persona. Ka institucione relevante të cilat duhet të marrin procedurë dhe të caktojnë se kush duhet të marrë përgjegjësi. Ne po zgjidhim problem të qytetarëve të dëmtuar për shkak të politikave të gabuara”,- theksoi Kostadin Kostadinov nga LSDM.
VMRO ndërkohë kërkon të kthehet zgjidhja e vjetër ligjore me të cilën, sipas tyre, viteve të kaluara pensionistët në mënyrë të vazhduar kanë marrë rritje të pensioneve.
“Me këtë propozim ligj pensionistët do ta marrin rritjen e merituar të pensioneve. Me këto ndryshime ligjore do të hiqet ligji i dëmshëm të cilin e ka miratuar LSDM, me të cilin u shkurtohet e drejta e pensionit më të madh prej rreth 500 denarë të mbi 310 mijë pensionistëve. Me ndryshimet ligjore të LSDM-së kryhet harmonizim i pensioneve, por jo edhe rritja reale”- deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Sllagjana Mitovska.
Mazhoranca këmbëngul se reformat në këtë drejtim po japin rezultate, pensionet janë në rritje, e ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
GAZMEND KURTISHI
