Maqedoni
Zaev në Vjenë, Zaev: Mbështetja austriake, e rëndësime për rajonin; Kurz: Emri, çështje sfiduese që duhej zgjidhur
30.01.2019 18:53
Pas ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni dhe ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Athinë, kryeministri, Zoran Zaev...

Pas ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni dhe ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Athinë, kryeministri, Zoran Zaev, së bashku me një pjesë të kabinetit të tij qeverisës, ka filluar turin në vendet mike për të kërkuar mbështetje për përshpejtimin e procesit integrues në NATO dhe në Bashkimin Europian. Zaev siguroi kancelarin austriak, Sebastian Kurz, se qeveria e tij do të vazhdojë me zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Njëkohësisht falënderoi Vjenën zyrtare për ndihmën dhe eksperiencën që ndan me Maqedoninë në këtë proces.
“Jam i sigurt se vendi im, Republika e Maqedonisë, e cila së shpejti do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut, do të ketë të ardhme të shkëlqyer. Ne nuk kemi alternativë tjetër veç anëtarësimit të plotë në BE, gjithsesi edhe në NATO. Ne e kemi vendin aty dhe do të vazhdojmë në atë drejtim, pasi ajo për ne paraqet ekonomi, standard më të lartë dhe jetë më të mirë. Si politikan vazhdoj me pajtimin brenda, pasi e kemi filluar procesin për pajtim mes pushtetit dhe opozitës”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Kancelari Kurz rikonfirmoi mbështetjen e Austrisë për Maqedoninë në procesin integrues. Zgjidhja e kontestit me Greqinë rreth çështjes së emrit është akt historik, tha Kurz. Për dedikimin e guximshëm në zgjidhjen e këtij kontesti, Kurz nderoi kryeministrin Zaev me medaljen “Alua Mok” (Alois Mock).
“Do të kisha dashur të uroj kryeministrin Zaev dhe Republikën e Maqedonisë për zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë. Ishte një çështje sfiduese, por që duhej zgjidhur për të mundësuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë. Zgjidhja e gjetur është një hap historik për Maqedoninë dhe gjithë rajonin”,- theksoi kancelari austriak, Sebastian Kurz.
Në takim janë diskutuar edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e ekonomisë. Së bashku ranë dakord se vendet kanë bashkëpunim të shkëlqyer ekonomik dhe se këmbimi tregtar me Austrinë shënon 60% nga këmbimi i përgjithshëm me jashtë, por mundësitë nuk janë ezauruar. U paralajmërua bashkëpunim për realizimin e disa projekteve të tjera, në kohë të arsyeshme.
SHPËTIM NUREDINI
