Ngrijnë ShBA-të, temperatura deri në -54 gradë, 8 viktima
Qytetet janë mbyllur pothuajse në të gjithë pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.....

Qytetet janë mbyllur pothuajse në të gjithë pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, teksa rajoni është mbërthyer nga një valë e të ftohtit të njohur si “vorbulla polare”.
Të paktën 8 persona kanë humbur jetën në disa shtete si pasojë e motit arktik. Grand Forks, në Dakotën e veriut, ka regjistruar të ftohtin më të madh deri më tani, -54 gradë celsius, mëngjesin e të mërkurës dhe kjo valë e të ftohtit nuk ka gjasa të përfundojë deri pas fundjave.
Verilindja e Shteteve të Bashkuara po përjeton një acar edhe më të ashpër se në Antarktidë. Në Çikago gjithçka ka ngrirë. Termometri arrin deri në 45 gradë nën zero. Kanë ngrirë deri edhe shinat e trenit, aq sa punonjësit e mirëmbajtjes u kanë vënë flakën shinave për të mos pezulluar qarkullimin e trenave. Probleme ka pasur edhe në autostrada.
Dëbora dhe ngricat janë bërë shkak për dhjetëra aksidente. Mbi 300 fluturime u anuluan në Atalanta për shkak të bllokimit të pistave. Mijëra banorë kanë mbetur pa energji elektrike, pasi riparimi i linjave është aktualisht i pamundur.
Gjendja e emergjencës është shpallur tashmë në Uiskonsin, Michigan dhe Illinois, e madje edhe në shtetet normalisht më të ngrohta më në jug, në Alabama dhe Misisipi.
