Maqedoni

Kuvend, Xhaferi filloi me udhëheqjen e seancave në shqip

31.01.2019 13:15

Ashtu siç dhe paralajmëroi, kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, seancën plenare e udhëhoqi në gjuhën shqipe....

Me këtë kuvendi edhe praktikisht filloi të zbatojë dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Reaguan përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së. 
 
“Pikërisht këtu në Kuvendin Republikan, shpejtuat që të miratoni Ligjin për dygjuhësi me forcë, me shkelje të shumta procedurale dhe ligjore. Sot prapë jemi dëshmitarë se si në prag të zgjedhjeve shpejtoni, duke i shkelur procedurat, ta vendosni Ligjin për dygjuhësi në funksion, vetëm për një votë më shumë dhe për marketing ditor politik. Këtë që e bëni sot, është në kundërshtim me Nenin 3 të Rregullores për punën e Kuvendit, i cili thotë se në punën e Kuvendit gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik”,- deklaroi koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
Vërejtjet e VMRO-DPMNE-së kreu u Kuvendit, Talat Xhaferi, i hodhi si të pabaza. Ai rikujtoi ata se Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar dhe i njëjti tani është edhe në fuqi. 
 
“Mendoj se e keni të qartë se Ligji për përdorimin e gjuhëve është në fuqi dhe zbatohet. E keni parasysh që edhe Rregullorja, edhe ligjet e tjera që kanë të bëjnë me Ligjin e gjuhëve, do të duhet të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve në afat prej një viti. Por, ajo nuk nënkupton që e drejta për të përdorur gjuhën është e kufizuar”,- tha kryetari i Parlamentit të RM-së, Talat Xhaferi.
 
Ndërkohë, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski, tha se gjuha shërben për t’u kuptuar dhe më e rëndësishme, sipas tij, është të miratohen ligje në interes të të gjithë qytetarëve.
 
“Koncepti i kësaj Qeverie dhe shumice parlamentare të udhëhequr nga LSDM, është që të ndërtojë një shoqëri për të gjithë. Gjuha është në dobi të të gjithë qytetarëve. Për ne si deputet nga shumica parlamentare, më me rëndësi është se çfarë do të flasim, më me rëndësi është të miratojmë ligje në interes të qytetarëve, edhe të maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve dhe të tjerëve, se sa në çfarë gjuhe do të flet ndonjë prej deputetëve”,- deklaroi koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski.
 
Kuvendit vijoi punën me seancën plenare të paraparë për pyetje deputetësh. Seanca për parashtrim të pyetjeve të deputetëve mbahet të enjten e fundit të çdo muaji. 
 
NAIM RAMADANI