Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut, Gjermania nënshkruan protokollin për në NATO

31.01.2019 15:05

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg....

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pret që të gjitha vendet anëtare të Aleancës të nënshkruajnë së shpejti protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Pas Bullgarisë, protokollin sot e nënshkroi edhe qeveria gjermane.

“Qeveria gjermane do të punojë për miratimin e shpejtë të protokollit, në mënyrë që qasja formale të ndodhë para fundit të shkurtit. Në lidhje me politikën e jashtme, Maqedonia e Veriut ka një rol kontruktiv në Ballkanin Perëndimor. Kjo u bë e qartë, veçanërisht pas gatishmërisë së treguar për ndryshimin e emrit në Maqedonia e Veriut”,- thuhet në kumtesë.

Qeveria gjermane vlerëson se Maqedonia e Veriut në mënyrë ambicioze ka reformuar sektorin e saj të sigurisë, ka bërë përparim të theksuar në sundimin e së drejtës dhe demokracinë dhe Qeveria angazhohet për vazhdimin në mënyrë të vendosur të reformave tashmë të filluara.

Procedura parashikon që protokollin fillimisht ta nënshkruajnë përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të NATO-s, proces ky pas të cilit pëson ceremonia në të cilën ftohen edhe përfaqësuesit e Maqedonisë.

Kur protokolli të nënshkruhet edhe formalisht, ai dërgohet për ratifikim në parlamentet e 29 vendeve anëtare të NATO-s.

Pritet që Greqia të jetë e para që do ta ratifikojë këtë protokoll në parlamentin e saj. Nga momenti i nënshkrimit të protokollit në Bruksel, Maqedonia e Veriut do të ketë statusin e vëzhguesit në NATO. Më pas, Këshilli i Europës, në qershor, duhet të vendosë nëse Maqedonia e Veriut është e gatshme për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE, për të cilat është  shumë e rëndësishme përparimi që vendi bën në procesin reformues, dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.