Maqedoni

Zgjedhjet Presidenciale, Xhaferi: Shpallen më 8 shkurt, mbahen më 21 prill, kur partitë të dakordohen për qeveri teknike

31.01.2019 15:46

Zgjedhjet Presidenciale do të shpallen më datën 8 shkurtë, me qëllim që të njëjtat të mbahen më datën 21 prill...

Zgjedhjet Presidenciale do të shpallen më datën 8 shkurtë, me qëllim që të njëjtat të mbahen më datën 21 prill, ndërsa rrethi i dytë eventual të mbahet më datën 5 maj, sqaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në brifingun për gazetarët. Xhaferi është i gatshëm që t’i marrë kompetencat e kryetarit të shtetit, nëse në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale nuk arrihet cenzusi prej 40 për qind dhe të ketë përsëri zgjedhje të reja në këtë rast, që do të duhej të mbaheshin pas 6 muajve. 
 
“Zgjedhjet Presidenciale do të shpallen më datën 8 shkurt, me qëllim që të ruhen afatet prej 90 ditësh deri në ditën e votimit. Në këto rrethana, rrethi i parë do të mbahet më datën 21 prill, ndërsa i dyti më datën 5 maj. Nëse në rrethin e dytë nuk arrihet cenzusi prej 40 për qindësh, nuk do të kemi kryetar të vendit dhe të njëjtat zgjedhje do të përsëriten 6 muaj pas. Dhe në këto rrethana kompetencat e kryetarit të shtetit i kalojnë kryetarit të Parlamentit. Po ashtu duhet ta dimë se paralelisht me Zgjedhjet Presidenciale, do të mbahen edhe ato lokale në tre komuna, si Dibër, Ohër dhe Novo Sellë”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
I pyetur nëse do të fusë në rend dite kërkesën e VMRO-DPMNE-së për shpërbërje të parlamentit, Xhaferi u përgjigj se për këtë duhet të merren vesh partitë politike të cilat duhet të dakordohen për qeverinë teknike, apo sipas modelit të Përzhinës, që nënkupton se zgjedhje parlamentare nuk mund të ketë njëkohësisht me zgjedhjet presidenciale, sepse tashmë është shkelur afati 100 ditor.
 
“Kërkesa e VMRO-DPMNE-së është legjitime, por unë të njëjtën do ta fusë në rend të ditës vetëm në momentin kur partitë politike bijnë dakord rreth një qeverie në bazë të modelit të Përzhinës. Në seancën e 8 shkurtit pritet të formohet edhe Komisioni për Antikorrupsion”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Xhaferi nuk e përjashton mundësinë që ai të jetë i kandiduar nga BDI për president të Maqedonisë, pas vendimit të së mërkurës të kryesisë qendrore të integristëve për të dalë me kandidat të vetin në zgjedhjet presidenciale, por duke potencuar njëkohësisht se nuk është shterur ende as mundësia që të gjendet një kandidat konsensual, qoftë me LSDM-në, qoftë me partitë shqiptare.
 
FITIM KRYEZIU