Botë
Japonezët jetojnë më gjatë në botë
21.08.2014 17:13
Edhe pse thonë se nuk e kanë formulën e jetëgjatësisë, faktet tregojnë se japonezët e kanë zbuluar si të jetosh më gjatë...

Një 111 vjeçar japonez, mori certifikatën si burri më i vjetër në botë. Zyrtarët e librit të rekordeve Ginis, vizituan Sakari Momoin në një shtëpi pleqsh në Tokio, për t’ia dhënë personalisht certifikatën.
Momoi, ka lindur më 5 shkurt të vitit 1903. Ai ishte mësues kimie në një shkollë të mesme dhe më vonë shef i Katedrës së Kimisë në Fukushima. Edhe pse është 111 vjeç, Momoi thotë se nuk do t’i vinte keq të jetonte më gjatë.
“Do të doja të jetoja edhe një apo dy vjet të tjera”- tha burri më i vjetër në botë, Sakari Momoi.
Ai thotë se nuk e ka sekretin për jetëgjatësinë, por njerëzit që përkujdesen për të thonë se ai ha rregullisht në të njëjtën kohë, madje çdo gjë e bën sipas një rituali të njëjtë çdo ditë.
Përveç Momoit, sekretin e jetëgjatësisë e ka zbuluar edhe një tjetër japoneze.
Sipas librit të rekordeve Ginis, njeriu më i vjetër në botë, që është gjallë aktualisht, është një femër nga Osaka, 116 vjeçarja Misao Okaua.
MERITA GASHI
