Maqedoni

Gjykimi për “27 prillin”, Ruskoska: Amnistia të mos ndikojë në vendimin gjyqësor

31.01.2019 17:20

Në seancën e sotme gjyqësore për 18 të akuzuarit për dhunën e 27 prillit në kuvend....

Në seancën e sotme gjyqësore për 18 të akuzuarit për dhunën e 27 prillit në kuvend, të cilët nuk u përfshinë me Ligjin për amnisti, prokuroret, Villma Ruskoska, dhe Ivana Trajçeva thanë fjalët përmbyllëse për rastin. Prokurorja Trajçeva tha se më 27 prill të vitit 2017, të akuzuarit gjatë mbajtjes së seancës konstituive në Kuvend kanë pasur për qëllim të rrezikojnë rendin kushtetues të shtetit dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar akte dhune dhe kanë rrezikuar jetën e deputetëve, gazetarëve dhe anëtarëve të tjerë të Kuvendit.
 
Derisa prokurorja Ruskoska tha se shumë gjëra kanë ndryshuar në sallën e gjyqit dhe jashtë saj që nga fillimit i gjykimit. “Ligji për amnisti ndikon në ndjenjën e mosndëshkimit,”- shtoi Ruskoska, sipas të cilës, Gjykata gjatë procesit gjyqësor nuk duhet të niset nga fakti se dikush rrezikon të dënohet me 10 vite burg, derisa dikush është liruar me amnisti. Ruskoska paralajmëroi padi edhe për organizatorët e dhunës në kuvend, në mesin e të cilëve nuk përjashton mundësinë të jetë edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski. 
 
“Un jam e bindur se ata ishin fajtorë, por a do t’i shpallë fajtorë gjyqi, do të shohim. Pres në afat sa më të shpejtë të sillet vendim për ngritjen e hetimeve edhe për organizatorët”,- deklaroi prokurorja, Vilma Ruskoska.
 
Në mesin e të akuzuarve në këtë rast janë edhe ish ministri i brendshëm, Mitko Çafkov, Igor Jug, Aleksandar Vasilevski - Ninxha, Nikolla Mitrevski-Koljo dhe pjesëtari i sigurimit të kuvendit, Abdulfeta Alimi. Procedura është ndarë për të akuzuarit, Oliver Radullov dhe Sasho Markovski, të cilët akuzohen për ndihmë në veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”. 
 
GYLTENE SINANI