Maqedoni
Stoltenberg: Pres nënshkrimin e shpejtë të protokollit
31.01.2019 17:51
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pret që shumë shpejt Maqedonia të marrë pjesë në takimet e NATO-s....

Nga Rumania, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes së Unionit, Stoltenberg ftoi të gjitha 29 vendet anëtare të nënshkruajnë dhe më pas të ratifikojnë sa më shpejt protokollin e aderimit.
“Dua t’i përgëzoj Shkupin dhe Athinën, dhe të lavdëroj kryeministrat Zaev dhe Tsipras, për guximin e tyre dhe lidershipin e fuqishëm, përmes të cilit arritën që ta lënë në të kaluarën kontestin rreth emrit. Pres që të gjitha 29 vendet anëtare të nënshkruajnë protokollin e aderimit, pas të cilit Shkupi do të marrë pjesë si i ftuar në dy takime të NATO-s. Kur 29 vendet të ratifikojnë protokollin, do ta përshëndesim Republikën e Maqedonisë së Veriut, si anëtaren e 30 të NATO-s. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të përforcojë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Europë”,- deklaroi sekretari i përgjitshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Procedura parashikon që protokollin fillimisht ta nënshkruajnë përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të NATO-s, proces ky pas të cilit pëson ceremonia në të cilën ftohen edhe përfaqësuesit e Maqedonisë. Kur protokolli të nënshkruhet edhe formalisht, ai dërgohet për ratifikim në parlamentet e 29 vendeve anëtare të NATO-s. Pritet që Greqia të jetë e para që do ta ratifikojë këtë protokoll në parlamentin e saj.
Nga momenti i nënshkrimit të protokollit në Bruksel, Maqedonia e Veriut do të ketë statusin e vëzhguesit në NATO. Më pas, Këshilli i Europës, në qershor, duhet të vendosë nëse Maqedonia e Veriut është e gatshme për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE, për të cilat është shumë e rëndësishme përparimi që vendi bën në procesin reformues dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
