Maqedoni
Projekti “Blej shtëpi, blej banesë”, Tevdovski: Shkallë më të ulët të interesit për kredi
31.01.2019 17:55
Projekti “Blej shtëpi, blej banesë” do të ketë kushte të reja të përmirësuara si dhe shkallë më të ulur të interesit....

Kushtet e reja sot i prezantoi ministri i financave, Dragan Tevdkovski, para anëtarëve të Asociacionit bankar të Maqedonisë. Sipas ministrit të financave, Dragan Tevdovskit, shteti subvencionon një pjesë të këstit mujor, i cili do të ulet prej 3,95% në 2,9% për tre vitet e para. Për vitin e katërt dhe të pestë do të ulet shkalla e interesit prej 4,44 % në 3,9%.
“Këto janë për momentin shkallët më të ulëta të interesit në treg për kredi banesore. Ulja e shkallëve të interesit nënkupton kursim serioz për qytetarët. Me këtë do të kemi kredi banesore me shkallë të interesit si në vendet evropiane nën tre për qind dhe se asnjëherë që nga pavarësia nuk ka pasur këso kushtesh”,- deklaroi ministri i financave, Dragan Tevdkovski.
Për shfrytëzuesit, siç sqaroi ministri, po ndryshohet edhe përqindja e subvencionimit të modelit të këstit mujor dhe ai do të jetë 70 për qind, në vend se 50 për qind, ndërsa në mënyrë shtesë sipas shembullit dhe përvojës pozitive në Kroaci, po zbatohet subvencionim shtesë për lindjen dhe birësimin e secilit fëmijë prej 30 për qind të këstit. Kryetari i Asociacionit bankar të Maqedonisë, Kosta Mitrovski, fton bankat të cilat nuk janë të përfshira në projekt, ta bëjnë këtë, sepse në atë mënyrë do të sigurohen shërbime më të mira për qytetarët.
“Ne jemi banka me përgjegjësi dhe po hymë në këtë projekt që të tregojmë edhe solidaritet të caktuar për persona të caktuar të cilët nuk mund të kenë banesë. Ne jemi të gatshëm që të punojmë në zeron rentabile vetëm që të tregojmë se bankat kanë përgjegjësi dhe mendojnë për qytetarët”,- u shpreh kryetari i Asociacionit bankar të Maqedonisë, Kosta Mitrovski.
Kushtet e reja do të vlejnë pasi që të miratohen në Kuvend. Deri më tani, interes më të madh kishte për projektin e subvencionimit të këstit dhe për blerjen e banesave.
BESIM ABDULLAI
