Maqedoni

Mendimi juridik i Supremes për PPS-në, takohen Joveski dhe Janeva

31.01.2019 18:02

Mendimi juridik parimor i Gjykatës Supreme për mandatin e PPS-së ka hapur dilema dhe debat mes institucioneve gjyqësore....

Ka të drejtë Prokuroria Speciale të ngritë akuzë ose të urdhërojë ndalim të procedurës hetimore 18 muaj pas marrjes së lëndëve dhe materialeve në kompetencë të saj ose jo. Kryeprokurori publik, Lubomir Joveski, kundërshtoi mendimin juridik të Supremes, si ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, i cili ka të drejtën ekskluzive të interpretimit autentik të ligjeve. Në një takim të përbashkët, kryeprokurori publik, Joveski, dhe prokurorja speciale, Katica Janeva, kanë diskutuar këtë çështje. 
 
“Në takim janë shqyrtuar gjendjet dhe mundësitë për veprimin e mëtutjeshëm në lidhje me lëndët për të cilat vepron Prokuroria Speciale. Në këtë kontekst, Joveski dhe Janeva janë pajtuar se veprimi për këto lëndë do të vazhdojë sipas dispozitave ligjore pozitive”,- thuhet në kumtesën e Prokurorisë Themelore Publike.
 
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska, sqaron se në cilat raste Gjykata Supreme mund të japë mendim të tillë juridik dhe se mendimi juridik nuk është i detyrueshëm për prokurorët.
 
“Gjykata Supreme mund të sjellë mendime juridike kur ka praktikë të ndryshme gjyqësore gjatë zbatimit të ndonjë ligji të caktuar. Unë nuk dua të komentoj vendime gjyqësore nga pozita e ministrit të drejtësisë, por do t’i shtroj pyetjet në vazhdim nga të cilat opinioni vetë do të mund të nxjerrë konkluzione: vallë në këtë rast ekziston një praktikë gjyqësore ndryshe? Një gjë e tillë nuk ekziston. A gjykojnë gjykata të ndryshme? Jo. Për këto lëndë gjykon vetëm Gjykata Shkupi 1. Vallë në kuadër të gjykatës ka praktika të ndryshme? Jo”,- theksoi ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska.
 
Prokurorja, Vilma Ruskovska, e angazhuar me rastet që burojnë nga përgjimet e paligjshme, thotë se konform vendimit të Gjykatës së Apelit, përgjimet janë dëshmi dhe se pak rëndësi ka se kush procedon me lëndët. 
 
“Nëse ju kujtohet, kur ato incizime u propozuan si dëshmi nga PPS, Gjykata e shkallës së parë nuk i pranoi por me vendim të Gjykatës së Apelit ato u bënë dëshmi në ato lëndë. S’ka përse ai vendim të mos vlejë. Nuk ka rëndësi se kush procedon me lëndën dhe cila prokurori, të gjithë jemi prokurorë dhe vendimi i gjykatës është vendim gjykate”,- tha prokurorja, Vilma Ruskovska.
 
Një ditë më parë, Gjykata Supreme solli mendim juridik se Prokuroria Speciale nuk ka mundur të nis dhe as të ndalojë hetime, pas 30 qershorit të vitit 2017, duke vënë kështu në pikëpyetje fatin e hetimeve në rastet: “Perandoria”, “Aktor”, “Regjistrimi”, “Pacienti”, “i Pushtetshmi”, hetimin për projektin “Shkupi 2014”, rastin “Talir” për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së etj..
 
SHPËTIM NUREDINI