Maqedoni
Zgjedhjet Presidenciale, partitë shqiptare shqyrtojnë kandidatët e mundshëm
31.01.2019 18:07
Partitë shqiptare akoma në shqyrtim të kandidatëve të tyre për garën presidenciale....

BESA opozitare preferon që partitë shqiptare opozitare, përfshirë këtu edhe Aleancën për Shqiptarët, të dalin me kandidat të përbashkët, që të zhvillojnë një garë midis opozitës dhe BDI-së në pushtet. Por, kjo do të kuptohet ditëve në vijim, pasi të vendosin organet partiake.
“Lëvizja Besa që më herët ka shprehur qëndrimin e vet se duhet të ketë kandidat shqiptar për zgjedhjet presidenciale. Më tepër kemi preferuar që të ketë një kandidat të partive opozitare shqiptare, i cili do të garonte në zgjedhjet presidenciale, por nënkuptohet që të gjitha partitë ditëve në vijim do të kenë organet e veta partiake dhe shpresoj se do të japin qëndrimet e veta rreth pozicioneve a do të dalin me kandidat vetë ose do të bashkëpunojnë me ndonjë subjekt tjetër”,- tha Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA.
Lideri i BDI-së, Ahmeti, ditë më parë, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë qendrore, deklaroi se të gjitha opsionet mbeten të hapura, madje paralajmëroi bisedime edhe me partitë shqiptare.
“Opsionet janë të hapura, por BDI ka vendim që do të dalë me kandidat të vetin, por edhe opsionet janë të hapura, do të komunikoj me partitë shqiptare për një kandidat të mundshëm, procesi vazhdon”,- theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti nuk përjashton as mundësinë e kandidatit konsensual me LSDM-në, ku po shqyrtohen të gjitha mundësitë përderisa emri më i përfolur është i ministri i brendshëm, Oliver Spasovski. Aleanca për Shqiptarët në reagimin e tyre përshëndesin vendimin e BDI-së që të garojnë vetë me kandidatin e tyre.
“Urojmë që kandidati i tyre të jetë shqiptar. S’duam të besojmë se vendimi i tillë erdhi si pasojë e përbuzjes që iu bë BDI-së për idenë e kandidatin konsensual me LSDM-në sot, me VMRO-DPMNE-në dje. Shpresojmë se vendimi i tyre ka të bëjë me sfidën që kryetari i ASh-së, Ziadin Sela, ua bëri publikisht nëpërmjet mediave për t’u përballur me Ju”,- thuhet në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët.
Ndërkohë, në VMRO vazhdon konkursi për zgjedhjen e kandidatit të tyre, i cili do të dihet në konventën e partisë më 16 shkurt.
MERAL ISMAILI
