EKONOMI

5 milion euro në Zonën Industriale të Tetovës

21.08.2014 17:52

Kompania italiane “Pro Compo Advance Technologies” apo “ITEK”...

Kompania italiane “Pro Compo Advance Technologies” apo “ITEK”, për prodhimin  e materialeve kompozuese, fillon me ndërtimin e objektit të tij në Zonën Industriale të Tetovës. Investimi me vlerë prej 5 milion eurosh, do të realizohet në disa faza.
 
Faza e parë përfshin ndërtimin e pesë reparteve prodhuese me vlerë prej 3.8 milion euro dhe punësim të 120 personave të ri.
 
Përfaqësuesit e Kompanisë, u shprehën të kënaqur nga kushtet e volitshme të biznesit që i ofron vendi, duke i tejkaluar procedurat burokratike.
 
“Kemi vendosur të realizojmë këtë investim dhe të hapim në Tetovë disa reparte, sepse me rëndësi strategjike për zhvillimin e biznesit është paraqitja jonë për tregje të tjera në rajon. Faza e parë e investimit është me vlerë prej 3.8 milion euro dhe në tre vitet e fundit parashikon  punësimin  e 120 personave”- deklaroi përfaqësuesi i “Pro Compo Advance Technologies”, Roberto Oskiri.
 
Në vënien e  gurthemelit të Kompanisë, të pranishëm ishin dhe shumë funksionarë të lartë shtetëror. Ata theksuan se investimet e përbashkëta janë në favor të të gjitha etniteteve në vend.
 
“Të gjithë jemi bashkë në këtë proces, të gjithë qytetarët presin prej nesh një jetë më të mirë, një të ardhme më të mirë, punësime të reja, rritje të ekonomisë dhe rritje të standardit jetësor. Investimi i sotëm është i pari në rajon dhe do të mundësojë të punësohen shumë qytetarë të përkatësive të ndryshme etnike”- theksoi kryeministri i RM-së, Nikolla Gruevski.
 
“Hedhja e gurrthemelit të fabrikës  “Pro Compo”, është një angazhim i yni për një zhvillim të barabartë ekonomik, këtë herë në rajonin e Pollogut, sepse zhvillimi i Zonës Teknologjike Industriale në Tetovë është një nga projektet më të mëdha, i punuar sipas modelit të partneritetit publiko-privat”- potencoi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
“Kjo është një ngjarje që e vërteton atë që ne e kemi punuar gjatë gjithë këtyre viteve me radhë, ngjarje që shërben dhe do të shërbejë si shembull për kompanitë e tjera, të cilat ende e kanë dilemën a të investojnë apo jo në Zonën e Tetovës. R. Maqedonisë ka bërë rritje të rëndësishme ekonomike në vitet e fundit edhe përskaj krizës ekonomike botërore, me një fluks të madh investimesh të huaja”- tha ministri pa resorë, Visar Fida.
 
Në Zonën Zhvillimore Teknologjike në Tetovë, pritet të ndërtohen prej 25 deri më 30 objekte industriale, ndërsa të gjithë investitorët e huaj që do të investojnë shuma të mëdha parash, do të kenë lehtësime në fushën e taksave.
 
Zona Teknologjike Industriale e Tetovës, shtrihet në hapësirë prej rreth 96 hektarë. Kjo Zonë këtu në Tetovë, mundëson lidhshmëri të shpejtë me Shqipërinë dhe ndihmon shumë për zhvillimin e biznesit në rajonin e Pollogut dhe kontribuon në hapjen e vendeve të reja të punës. 
 
Eksporti nga Zonat Industriale të vendit për 6 muajt e parë, arrin shumë mbi 550 milion euro, që do të thotë se është rritje e dyfishtë nga gjashtë muajt e pare të vitit të kaluar. Deri në fund të këtij viti, eksporti nga Zonat Industrial pritet të arrijë në 1 miliard euro.
 
REXHEP QAMILI