Maqedoni
Kuvendi dha dritë jeshile, do të angazhohen dy ekspertë për nevojat e ATO-s
31.01.2019 18:23
Kuvendi i dha dritë jeshile angazhimit të dy ekspertëve të nevojshëm për Komisionin, i cili monitoron punën e Agjencisë Teknike-Operative (ATO) për përgjimet....

Kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e punës së ATO-s, Emil Dimitriev, theksoi se thirrja publike do të shpallet në afat prej 10 ditëve, ndërsa angazhimi i tyre nga Kuvendi nuk është joligjore, pasi vetë Komisioni është trup punues i Kuvendit.
“Në takim me sekretarin gjeneral, u dakorduam për afate në mënyrë që të shpallim thirrje të hapur. Thirrja e hapur dhe konkursi janë dy gjëra të ndryshme, sepse ata nuk do të jenë të punësuar në mënyrë të përhershme, si fillim do të angazhohen si honorarë e pastaj do të shohim nëse do ketë nevojë t’i angazhojmë me marrëdhënie të rregullt pune. Ligji në nenin 39 saktë parasheh se nëse komisioni për nevojat e saj angazhon 2 ekspertë sepse komisioni është trup punues i Kuvendit, logjikisht është që mjetet të sigurohen nga Kuvendi. Pra, kuvendi do të lidh kontratat për angazhim të këtyre ekspertëve”,- u shpreh kryetari i Komisionit të ATO-s, Emil Dimitriev.
Por, kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, gjatë takimit të sotëm me gazetarët, theksoi se ligji nuk parashikon asnjë dispozitë ku precizohet që Kuvendi duhet të sigurojë mjete për kompensimin e punës së ekspertëve, pasi nëse një gjë e tillë ndodh, kjo do të nënkuptonte keqpërdorim të detyrës. Ai tha se është e nevojshme ndryshim i ligjit ose komisioni të dorëzojë rregullore ku do të arsyetohej angazhimi i ekspertëve.
Komisioni për ndjekjen e komunikimeve gjatë seancës së sotme shqyrtoi raportin vjetor të Agjencisë Teknike-Operative. Gjatë të kaluarës ka pasur 153 raste të ndjekjes së komunikimeve. Për nevojat e PSP-së janë nxjerrë 8 përgjime, ndërsa 5 përgjime të tjera për nevojat e policisë në luftën kundër krimit të organizuar.
ZEKIRIJA MEXHITI
