Maqedoni

IN MEMORIAM - Ndërroi jetë spikerja e parë në TVM, Suzana Kaba

31.01.2019 18:50

Pas një sëmundjeje të rëndë, sot, në moshën 71 vjeç, ndërroi jetë spikerja e parë e lajmeve në gjuhën shqipe në Televizionin e Maqedonisë, Suzana Kaba....

Suzana Kaba lindi në 24 janar të vitit 1948. Në 17 prill të vitit 1967, kur filloi zyrtarisht emisioni informativ në gjuhën shqipe, redaktori i ndjerë, Murat Isaku, zgjodhi një vajzë të re 18 vjeç nga Tetova për të lexuar lajmet në Televizionin e Shkupit, siç quhej atëherë, ishte Suzana Kaba.
 
Në atë kohë Televizioni i Maqedonisë nuk kishte akoma një studio lajmesh dhe Suzana Kaba udhëtonte me avion dy herë në javë në Televizionin e Beogradit, ku lexonte lajmet dhe kthehej në Shkup.
Suzana Kaba për 32 vjet rresht ishte spikerja kryesore në Redaksinë shqipe, ndërsa programi shqip u zgjerua në minutazh, ku lajmet zinin vendin qendror.  
 
Varrimi i së ndjerës,  Suzana Kaba – Evrofsimovska, do të bëhet nesër në orën 12, në varrezat e Butelit.