Maqedoni
Ndotja enorme në Tetovë, OJQ-të kërkojnë masa urgjente nga komuna
31.01.2019 18:38
Lëvizjet “Eco Guerilla” dhe “Nëna dhe Fëmija” kanë reaguar për ndotjen alarmante...

Lëvizjet “Eco Guerilla” dhe “Nëna dhe Fëmija” kanë reaguar për ndotjen alarmante që ditët e fundit ka përfshirë Tetovën, ku niveli i grimcave PM10 është 4 herë mbi nivelin e lejuar, duke kaluar kufirin mbi 195 m/3. OJQ-të akuzojnë komunën e Tetovës se nuk ka ndërmarrë asnjë masë për parandalimin e ndotjes dhe se paratë po i harxhon për koncerte e punësime.
“Komuna e Tetovës ka mundur të angazhojë ekspertë të jashtëm që të bëjnë vlerësimet se përveç “Jugohromit” si ndotës më i madh që ishte, identifikimin e faktorëve tjerë që e ndotin ajrin dhe sipas asaj çfarë masash duhet të ndërmerren. Në vend që komuna të harxhojë para për punësime të reja, edhe ashtu me administratën më të mbingarkuar në Maqedoni, për seminare, për udhëtime, koncerte, ndihma financiare jotransparente, financat ka mundur t’i orientojë në zgjidhjen e këtij problemi me të cilin po ballafaqohet ky qytet”,- theksoi Narta Kasa nga Lëvizja “Nëna Dhe Fëmija”.
Përmes një komunikate me shkrim, komuna e Tetovës thotë se janë bërë kontrolle në kompanitë që ndotin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte ajrin dhe masa të tjera të cilat kërkojnë që të respektohen nga qytetarët dhe nga institucionet.
“Janë kryer 21 kontrolle tek bukëpjekësit, që si energjencë në procesin e prodhimit përdorin drurin. U kontrolluan gjithashtu më shumë se 26 subjekte që bëjnë prodhimin e mobileve, si dhe kompani për prodhim të PVC dyerve dhe dritareve. Nga disa nga subjektet me vëllim më të madh të punës u kërkua që të bëjnë dhe dorëzojnë matje të reja mbi impaktet negative të procesit punues në ambientin jetësor. Tek të gjithë këto kompani u konstatua se emisionet e dëmshme janë në vlerat e kufijve të lejuar”,- u tha nga Komuna e Tetovës.
OJQ-të paralajmërojnë të premten bllokimin e hyrjes në kompaninë “Drisla”.
VISAR SADIKI
