Botë
Kosovë: përfundon seanca dëgjimore kushtetuese
21.08.2014 18:08
Përfundoi në Kosovë seanca dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, ku përfaqësuesit e PDK-së...

Përfundoi në Kosovë seanca dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, ku përfaqësuesit e PDK-së, LDK-AAK-NISMA-s dhe Vetëvendosjes paraqitën argumentet e tyre. Ndërkohë, tani pritet vendimi i trupës së gjyqtarëve rreth ligjshmërisë se kryetarit të zgjedhur të Kuvendit, Isa Mustafës.
Enver Hasani, kreu i Gjykatës, bëri me dije se vendimi do të publikohet në faqen zyrtare në internet.
Në këtë seancë, palët ballafaquan argumentet e tyre. Nga PDK-ja, përfaqësues ishte deputeti, Arsim Bajrami, ndërsa nga blloku opozitar deputetja, Vjosa Osmani.
Bajrami, argumentoi se zgjedhja e Isa Mustafës nuk i ka respektuar procedurat kushtetuese.
Ai nënvizoi faktin se i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhjet e drejta, e propozimit të kryetarit të Kuvendit.
Nga ana tjetër, Vjosa Osmani deklaroi se grupi më i madh parlamentar është ai i partive LDK, AAK dhe Nisma dhe jo ai i PDK-së.
Kryetari i Gjykatës, vazhdimisht e ka ripërsëritur se kërkohet vetëm argumente juridike dhe asgjë tjetër.
Nga ana e anëtarëve të Gjykatës, nuk pati ndonjë pyetje për palët. Pas dëgjimit të argumenteve nga të dyja palët, Gjykatës Kushtetuese i mbetet që të marrë vendimin.
Vendimi përfundimtar do të merret nga votimi i fshehtë i panelit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, deri më datën 18 shtator.
FARIJE DAUTI-BAKIU
