Botë
Vuçiç i ankohet presidentit amerikan, Haradinaj nuk e heq taksën
01.02.2019 12:16
Aleksandar Vuçiç i çoi në një nivel tjetër ankesat për taksën e vendosur nga Prishtina zyrtare mbi produktet serbe....

Presidenti i Serbisë i ka shkruar një letër shefit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, në të cilën thekson se Beogradi është i gatshëm t’i rikthehet dialogut të normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, në momentin kur Kosova do ta heqë tarifën polemizuese.
Vuçiç këmbëngul ta paraqesë këtë tarifë si një ngarkesë dhe pengesë të pa-kapërcyeshme për rifillimin e dialogut, sepse jo vetëm që i sjell dëm ekonomisë serbe, por, sipas tij, rrezikon edhe jetën e serbëve në Kosovë. Më herët, Ramush Haradinaj nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimeve në skenën politike të vendit, për shkak të mospajtimeve brenda koalicionit qeverisës rreth kësaj takse dhe procesit të bisedimeve me Serbinë.
Krerët e institucioneve në vend zhvilluan një takim me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, ndërsa Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë për pasoja nëse tarifa nuk anulohet. Udhëheqësi i PDK-së, Kadri Veseli, tha pas takimit se, pak rëndësi ka karrigia, i rëndësishëm, sipas tij, është shteti i Kosovës dhe partneriteti me ShBA-të.
