Maqedoni
Avokati i Popullit: Gjatë viteve 2016/2017, 731 lindje dhe 62 aborte nga adoleshentet
01.02.2019 15:57
Në periudhën prej vitit 2016 deri në vitin 2017, gjithsej 731 vajza të moshës nën 18 vjeç janë bërë nëna....

Po ashtu 62 adoleshente kanë vendosur të ndërpresin shtatzëninë. Deri te këto të dhëna ka ardhur institucioni Avokati i Popullit në hulumtimin e kryer nëpërmjet një pyetësori në 17 klinika dhe spitale të përgjithshme që pjesë të veprimtarisë kanë edhe gjinekologjinë. Ky raport ka konstatuar se pjesa më e madhe e këtyre shtatzënive kanë ardhur në raporte jashtëmartesore.
“Gjithsej 731 adoleshente janë bërë nëna në periudhën e hulumtimit 2016-2017, me ç’rast katër lindje janë bërë prej fëmijëve të moshës 11 deri në 13 vjeç, 225 prej në 14 deri në 16 vjeç, ndërsa pjesa tjetër kanë kryer lindje në moshën 17 vjeçare dhe para se të mbushin 18 vjet. Në 8 shtëpi shëndetësore, në periudhën e viteve 2016-2017, gjithsej 62 të mitura, të moshës deri në 18 vjeç, e kanë ndërprerë shtatzëninë, me atë që 23 fëmijë kanë abortuar në moshën nga 14 deri në 16 vjeç”,- deklaroi zëvendësavokatja e popullit, Vaska Bajramovska Mustafa.
721 fëmijë të lindur nga nënat adoleshente janë marrë nën kujdesin e vet nënave, ndërsa 10 fëmijë kanë përfunduar në Shtëpinë e fëmijëve pa prindër në Manastir. Pjesa më e madhe e lindjeve nga adoleshentet janë të përkatësisë rome 405, maqedonase 162, shqiptare 109, të përkatësisë turke janë 43 nëna adoleshente dhe pjesa e mbetur u takon pjesëtarëve të bashkësive tjera etnike. Po ashtu raporti ka konstatuar mungesë të evidencës nga ana e institucioneve shëndetësore apo evidencë jo të saktë për nënat e mitura, përfshi edhe mungesën e obligimit ligjor për pajtueshmëri nga prindi apo kujdestari në rastet e intervenimeve te nënat adoleshente.
GYLTENE SINANI
