Helsinki, takimi Osmani-Terho, “Rruga drejt BE-së është hapur, fokusi në reformat”
Rruga për çeljen e bisedimeve të Maqedonisë me BE-në është hapur....

Rruga për çeljen e bisedimeve të Maqedonisë me BE-në është hapur dhe nga vendi varet se a do ta përshkojmë deri në fund.
Ishte kjo porosia që zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, mori në takimin me ministrin finlandez për çështje evropiane, Samo Terho. Osmani nga Helsinki tha se pas miratimit të Marrëveshjes së Prespës fokusi do të duhet të vihet në reforma që procesi drejt BE-së të përmbyllet me sukses.
“Në këtë rrugë nuk ka kurrfarë pengese dhe vetëm nga ne do të varet se me çfarë dinamike do ta përshkojmë atë rrugë. Prandaj nga Helsinki dërgoj porosinë deri tek elita politike dhe shoqërore në Shkup se koha është për t’u fokusuar te reformat, koha është për t’u fokusuar te realizimi i rezultateve, pasi që edhe në maratonën më të gjatë, përshkimi i metrave të fundit është çelës për përmbylljen e suksesshme të procesit”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Duke prezantuar dinamikën e zbatimit të planit 18 për reformat, Osmani shpalosi nismën e qeverisë që të zbatojë të gjitha obligimet për marrjen e rekomandimit të pastër nga Komisioni Europian për nisjen e bisedimeve nga qershori.
Osmani është shprehur optimist se me nisjen e kryesimit të Unionit nga Finlanda nga korriku i këtij viti, Maqedonia pjesën e dytë të 2019-s me BE-në do të realizojë takimin e parë ndërqeveritar, me ç’rast edhe zyrtarisht do t’i nis bisedimet.
Duke pasur parasysh zbatimin e suksesshëm të dygjuhësisë në kuadër të administratës finlandeze, ku përpos gjuhës finlandeze zbatohet edhe gjuha suedeze, Osmani kërkoi edhe mbështetje në dhënien e përvojave dhe mënyrën e zbatimit të dygjuhësisë edhe në administratën e Maqedonisë pas miratimit të Ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve. (Meral Ismaili, TVM2)
