Organizatat Ekologjike, protestë disa minutëshe para deponisë “Drislla”, Angellov: “Drislla” nuk e ndotë ajrin e kryeqendrës

01.02.2019 17:36

Nën moton “Për ajër të pastër”, Organizatat ekologjike kanë bllokuar për disa minuta hyrjen e deponisë “Drislla” në Shkup....

Nën moton “Për ajër të pastër”, Organizatat ekologjike kanë bllokuar për disa minuta hyrjen e deponisë “Drislla” në Shkup, duke kërkuar ndryshimin e Ligjit për importin e mbeturinave, për shkak se, siç reagojnë, i gjithë vendi do të shndërrohet në deponi.

Ata kërkuan që Qyteti i Shkupit të prishë kontratën me investitorin italian në “Drislla”, ndërsa hodhën dyshime se në këtë deponi po importohen mbeturina nga jashtë shtetit, të cilat gjatë djegies emetojnë tym kancerogjen.

“Kërkojmë nga kryeministri, Zoran Zaev, që urgjentisht të ndryshojë ligjin për mbeturinat. Ndalimi i importit të mbeturinave do të ulte ndjeshëm nivelin e ndotjes, sidomos në Shkup. Dyshime serioze për djegie të mbetjeve medicinale në deponinë “Drislla” pa standarde të duhura, janë një nga shkaktarët e ndotjes së ajrit. Ashtu si edhe në të kaluarën, edhe tani ka një mjegull informacionesh se çfarë mbeturinash vijnë nga jashtë për t’u djegur në Maqedoni. Edhe pse në Shkup u morën disa masa për të ulur ndotjen, ndotja nuk u ul. Të gjitha masat tjera do të jenë kozmetike nëse nuk ndalohet importi i këtyre mbetjeve”,- tha Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla”.                                                                                            

Por, drejtori i deponisë “Drislla”, Goran Angellov, thotë se kjo deponi nuk ka ndikim në ndotjen e ajrit në kryeqendër, pasi është e  vetmja deponi në vend që posedon leje të integruar ekologjike. Ai mohon pretendimet e organizatave ekologjike se në këtë deponi digjen mbeturina të importuara nga jashtë.       

“Sa u përket dyshimeve se digjen mbeturina që vijnë jashtë Republikës së Maqedonisë, qindra herë kemi thënë se ne i djegim vetëm mbetjet medicinale nga qyteti i Shkupit dhe pjesë të institucioneve shëndetësore që kryejnë dializë nga territori i Maqedonisë. Pa oshtu digjen ilaçe me afat të skaduar dhe mbetje të parrezikshme, si kartela kreditore apo dokumente të besueshme. Nuk ka mbingarkesë të furrës, kjo është konfirmuar gjatë pranim-dorëzimit të furrës në vitin 2000 nga ana e Organizatës Botërore Shëndetësore dhe Instituti i Shëndetit Publik”,- u shpreh drejtori i Deponisë “Drislla”, Goran Angellov.                                                              

Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, paraprakisht ka deklaruar se gjatë këtij muaji do të sjellë vendim për koncesionerin e deponisë “Drislla” dhe do të vendosë kontroll të plotë në punën e kësaj kompanie. Ndërkohë, ambientalistët për nesër kanë thirrur protesta para kuvendit me kërkesën për seancë urgjente rreth ndotjes së lartë të ajrit në kryeqendër. (Fitim Kryeziu, TVM2)