Zgjedhjet presidenciale, VMRO-DPMNE 8 kandidatë në garë për president, LSDM e hapur për bashkëpunim me BDI-në
Partitë politike vazhdojnë me përgatitjet brendapartiake dhe shqyrtimin e mundësive të koalicionimit....

Partitë politike vazhdojnë me përgatitjet brendapartiake dhe shqyrtimin e mundësive të koalicionimit për zgjedhjet presidenciale.
Në VMRO-DPMNE ka përfunduar konkursi për paraqitjen e kandidaturave për kandidat për president. Nënkryetari i partisë, Vllado Misajllovski, njoftoi se aktualisht në arkivin e VMRO-së janë deponuar tetë kandidatura, por numri përfundimtar do të publikohet të martën, pasi ka gjasa që kandidatura të jenë dorëzuar edhe me postë.
“Të gjitha kandidaturat do të shqyrtohen në Komisionin për kontroll të kushteve të parapara ligjore për kandidat për kryetar të RM-së, pas këtij kontrolli, më së voni deri të martën do të publikohen emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për kandidat për kryetar të Republikës”,- tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski.
Jozyrtarisht mësohet se në mesin e kandidatëve janë: profesoresha Gordana Siljanovska, Filip Petrovski dhe deputeti Vlatko Gjorçev. Kandidati i VMRO-së për president do të zgjidhet në konventën e partisë, më 16 shkurt.
Edhe në LSDM po rrjedh procedura për zgjedhjen e kandidatit presidencial. Radmilla Shekerinska, Nikolla Dimitrov, Oliver Spasovski dhe Stevo Pendarovski janë katër emrat që lakohen më së shumti si kandidat të mundshëm, por vendimi përfundimtar do të merret në konventën e partisë më tre mars. Mundësia për bashkëpunim me partnerin e koalicionit qeveritar mbetet e hapur.
“BDI ka lënë hapësirë, siç e dini, e para është se mund të dalë me kandidat, opsioni i dytë ishte se iu dha ofertë partive të tjera shqiptare që të dalin me kandidat të përbashkët dhe opsioni tjetër është që të bisedojnë me partnerët e koalicionit për kandidat që ata do ta kishin përkrahur. Ende është herët, ka kohë për gjithçka dhe kur do të kemi rezultat konkret në këtë drejtim, sigurisht opinioni do të njoftohet”,- deklaroi deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri.
Në bllokun shqiptar, kryesia e BDI-së vendosi të garojë me kandidat të saj, por la të hapur mundësinë për kandidat të përbashkët me partitë shqiptare.
Kreu i ASh-së, Ziadin Sela, nuk përfilli idenë e BDI-së për kandidat të përbashkët, por tha se vendimin përfundimtar do ta marrin organet e partisë.
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, njoftoi se zgjedhjet presidenciale do t’i shpall më 8 shkurt. Zgjedhjet do të mbahen më 21 prill, rrethi i parë, dhe më 5 maj, rrethi i dytë. 8 shkurti është afati i fundit me të cilin sigurohen minimum 70 ditë prej ditës së shpalljes deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve në përputhje me Kodin Zgjedhor. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
