Ish ministrat dhe zv.ministrat e bujqësisë, dyshohet se dëmtuan buxhetin për 1.4 milionë euro

01.02.2019 18:04

Ish ministrat dhe zëvendësministrat e bujqësisë të Qeverisë së kaluar....

Ish ministrat dhe zëvendësministrat e bujqësisë të Qeverisë së kaluar kanë përfunduar sot në gjykatë nën dyshimin se kishin abuzuar me detyrën zyrtare. Bëhet fjalë për ish ministrat, Aco Spasenovski, Mihail Cvetkov dhe Lupço Dimovski , si dhe ish zv/ministrin, Kristijan Delev.

Nga Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion njoftuan se kundër katër personave ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer vepër penale “keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 1 nga Kodi Penal i Maqedonisë.

Ata dyshohen se kanë nënshkruar marrëveshje për dhënie me qira të tokave bujqësore dhe marrëveshjet nuk i kanë shfuqizuar edhe pse qiraxhinjtë nuk i kanë paguar kompensimet për qira. Bëhet fjalë për 584 marrëveshje për dhënie me qira të tokave bujqësore në lokacione të ndryshme.

Në këtë mënyrë i është bërë dëm Buxheti të Republikës së Maqedonisë për 88.467.607 denarë apo mbi 1.4 milionë euro.

“Për tre prej tyre kërkoj masën e paraburgimit, ndërsa për njërin, për shkaqe shëndetësore, pasi na solli dokumentacion mjekësor, e ndryshova propozimin nga paraburgim në arrest shtëpiak. Për këtë bëhet fjalë? S’mund të them, në procedurë hetimore nuk përmenden emra, mundem të përmend vetëm iniciale”,- u shpreh Vilma Ruskoska nga Prokuroria e Krimit të Organizuar.                                                                                 

I pyetur për këtë rast, ministri i  brendshëm, Oliver Spasovski, pa dhënë shumë detaje, u shpreh se MPB-ja ka siguruar të gjithë personat e kërkuar nga Prokuroria.                                                                                                        

"Po ne në bashkëpunim me Prokurorinë Publike kishim një aktivitet. Janë siguruar të gjithë personat të cilët janë përfshirë në hetim”- theksoi ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.                                                                                                     

Deputeti aktual, Lupço Dimovska, është paraqitur në gjykatë, por marrja e tij në pyetje është caktuar për të hënën e javës që vjen, pasi ai ka imunitet, prandaj gjykata ka parashtruar kërkesë deri te kuvendi që atij t’i hiqet imuniteti që të mund të vendos rreth kërkesës për paraburgim.

Komisioni për çështje të mandatit dhe imunitetit prit lidhur me kërkesën e gjykatës të vendos të hënën. (Zekirija Mexhiti, TVM2)