Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, 57 kandidatë në garë për t’u zgjedhur

01.02.2019 18:24

Gjithsej 57 kandidatë do t’i nënshtrohen garës për të qenë pjesë e Komisionit Shtetëror....

Gjithsej 57 kandidatë do t’i nënshtrohen garës për të qenë pjesë e Komisionit Shtetëror që do të luftojë korrupsionin në vend.

Për 7 anëtarë të këtij trupi fillimisht janë paraqitur 80 kandidatë, njoftoi kryetari i Komisionit për selektimin e kandidatëve, Muhamed Zekiri. Një kandidat ka tërhequr vullnetarisht dokumentacionin, ndërsa 22 të tjerë janë eliminuar për shkak të dokumentacionit të pakompletuar dhe arsimimit jo adekuat, tha ai.

“Gjithsej kanë kaluar 57 kandidatë nga 80 sa ishin paraqitur, 22 nuk i plotësuan kushtet, gjegjësisht kishin ose arsim joadekuat ose dokumentacion jo të kompletuar dhe një kandidat vetë i ka tërhequr dokumentet, d.m.th. nga dita e diel në orën 10 do të fillojë intervistimi i kandidatëve gjithsej 57, për çdo kandidatë do të ndahet  nga 30 minuta kohë për të kryer intervistën”,- deklaroi kryetari i Komisionit për Selektimin e Kandidatëve, Muhamed Zeqiri.

Deri më 6 shkurt pritet të përfundojnë të gjitha procedurat e këtij komisioni. Më pas lista përfundimtare e kandidatëve që kanë kaluar të gjitha filtrat e selektimit, do t’i propozohet Komisionit Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërim si dhe Kuvendit për miratim. (Naim Ramadani, TVM2)