Pompeo: ShBA tërhiqet nga traktati i forcave bërthamore

01.02.2019 18:53

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara...

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara do t'i pezullojnë obligimet e tyre me Traktatin për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme, nisur nga 2 shkurti.

Pompeo tha se Uashingtoni do ta njoftojë zyrtarisht Moskën se ShBA-ja do të tërhiqet nga traktati për gjashtë muaj. Pompeo u tha gazetarëve në Uashington se SHBA-ja mbetet e hapur për negociata me Rusinë për kontrollin e armëve.

Ai tha se presidenti i ShBA-së, Donald Trump, do një marrëveshje që është e verifikueshme dhe e zbatueshme.

Pak kohë pas njoftimit të Pompeos, aleatët e NATO-s lëshuan një deklaratë, duke thënë se "e mbështesin plotësisht " vendimin e ShBA-së për t'u tërhequr nga traktati.

Uashingtoni ka paralajmëruar që disa muaj se do të dalë nga marrëveshja në fillim të shkurtit, nëse Rusia nuk e shkatërron një lloj rakete për të cilën ShBA-ja thotë se e shkel marrëveshjen.

Rusia e mohon se raketa në fjalë, 9M729, e shkel Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme. Traktati ShBA-Rusi, i cili daton nga Lufta e Ftohtë dhe ka eliminuar një klasë të tërë të raketave nga Evropa, konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës.