Botë

Rusia tërhiqet nga traktati i forcave bërthamore

02.02.2019 18:06

Presidenti rus, Vladimir Putin ka njoftuar se Rusia ka pezulluar obligimet e saj që dalin nga Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme veprim...

Presidenti rus, Vladimir Putin ka njoftuar se Rusia ka pezulluar obligimet e saj që dalin nga Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme veprimi, vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan për vendim të ngjashëm.

Putin është takuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe atë të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, për të diskutuar lidhur me vendimin e SHBA-së. 

Putin e urdhëroi Lavrovin që të mos nisë asnjë bisedim të ri për Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme veprimi me SHBA-në, duke thënë se Moska do të pres përgjigjen e Uashingtonit lidhur me propozimet paraprake të Rusisë për të shpëtuar këtë marrëveshje.

“Gjatë viteve të fundit, ne kemi parë se partnerët tanë nuk po përkrahin iniciativat tona. E kundërta, ata vazhdimit kanë nxjerr pretekste për të dëmtuar sistemin global të sigurisë”, tha Putin.

Ai shtoi se Ministria e Mbrojtjes do të nisë zhvillimin e kapaciteteve të reja të raketave bërthamore, përfshirë edhe raketat supersonike.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo një ditë më parë njoftoi se SHBA-ja do të pezullojë obligimet nga Traktati për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme, nisur nga 2 shkurti.

Ai tha se SHBA-ja do të tërhiqet nga ky traktat për gjashtë muaj. Traktati SHBA-Rusi, i cili daton nga Lufta e Ftohtë dhe ka eliminuar një klasë të tërë të raketave nga Evropa, konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës.