Maqedoni
Nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, më 12 shkurt takim me kryeministrin Zaev
04.02.2019 16:46
Pas disa protestave nga Nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, me kërkesën që t‘i merret kompanisë ELEM menaxhimi i kësaj qendre turistike....

Pas disa protestave nga Nisma “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, me kërkesën që t‘i merret kompanisë ELEM menaxhimi i kësaj qendre turistike, kryeministri Zaev ka pranuar ftesën për takim me anëtarët e kësaj nisme.
Takimi do të realizohet më 12 shkurt, thotë drejtuesi i Nismës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, Hamdi Sulemani, sipas të cilit në takim fillimisht do të analizohen shkaktarët që e kanë sjellë këtë qendër turistike në qendër të mjerimit dhe më pas do të merret vendimi për veprimet e mëtutjeshme. Sulejmani më tej shtoi se kryeministri u ka premtuar se një ditë pas takimit do të vizitojë këtë qendër turistike dhe do të njihet nga afër me problemet që ballafaqohet kjo qendër tani e disa vite me radhë.
“Ne do të këmbëngulim përsëri që të vijë kryeministri të shohë një ditë të rëndomtë se me çka përballen turistët apo njerëzit në Kodrën e Diellit. Vetë ka deklaruar edhe në komunikatën kryeministri se menaxhimi ELEM-it do t’i merret, ne nuk do lëshojmë pe, do të kërkojmë që atë ditë vendimi të sillet dhe atë ditë të vijë në Kodrën e Diellit, të vijë me vendimin në dorë”,- theksoi drejtuesi i nismës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, Hamdi Sulemani.
Sulejmani shprehet se deri në takimin me kryeministrin nuk do të ketë protesta, por nuk e mohon se mund të ketë lëvizje guerile, siç ishte rasti me bllokimin e autobusit të punëtorëve të kompanisë ELEM për disa minuta. Ai më tej shtoi se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre edhe pas takimit që do kenë më kryeministrin Zaev, atëherë do të vazhdojnë me protesta çdo ditë deri në plotësimin e kushteve të kësaj qendre turistike.
Ndërkohë, komuna e Tetovës javë më parë ka prezantuar planin urbanistik të kësaj qendre turistike, por sipas drejtuesve të Nismës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, ky plan urbanistik vështirë realizohet dhe nuk përfshin të gjitha nevojat që ka kjo qendër turistike.
VISAR SADIKI
