Maqedoni
Dita Botërore Kundër Kancerit, rritet numri i të prekurve nga sëmundja malinje
04.02.2019 17:09
Maqedonia nuk ka evidencë të sakta se sa persona në vend janë të prekur nga sëmundjet malinje, apo sa prej të prekurve përfundojnë me vdekje...

Maqedonia nuk ka evidencë të sakta se sa persona në vend janë të prekur nga sëmundjet malinje, apo sa prej të prekurve përfundojnë me vdekje, u tha nga sektori joqeveritar në Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit.
Nga Shoqata “Borka” dhe Ministria e Shëndetësisë thonë se janë formuar grupet e punës për përpilimin e regjistrit nacional të personave të prekur nga këto sëmundje, me çka për herë të parë në vend do të kemi regjistër nacional për sëmundjet malinje.
“Ka filluar funksionimi i grupit të punës të regjistrit nacional për kancer për herë të parë në Maqedoni. Në atë moment kur të kemi regjistrin do të mund të dimë numrin e saktë të të sëmurëve. Gjithnjë e më shumë ka një trend në rritje të rasteve të reja, të sapodiagnostifikuarve me çfarëdo lloji të sëmundjeve malinje”,- tha kryetarja e Shoqatës “Borka”, Biba Dodeva.
“Po forcojmë kapacitetet në drejtim të krijimit të një regjistri të sëmundjeve malinje për herë të parë në vendin tonë, si për pacientë të cilët trajtohen në spital, ashtu edhe për pacientët në nivel të vendeve të tyre të banimit, me çka do të mësojmë shumë për arsyet dhe në këtë mënyrë si të menaxhojmë përqindjen e lartë të sëmundjeve malinje në vendin tonë”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Parandalimi i sëmundjes është jashtëzakonisht i rëndësishëm, theksoi ministri i cili paralajmëroi blerjen e tetë mamogramëve për institucionet shëndetësore publike në të gjithë vendin, që do të përmirësojnë ndjeshëm kapacitetin për mamografi dhe për programin për parandalimin e kësaj sëmundje.
Bazuar në të dhënat statistikore të vitit të kaluar, numri i të prekurve nga sëmundja malinjë është në rritje pasi janë regjistruar 9643 raste të reja.
Po ashtu Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të grave - ESE ka bërë të ditur se 203 gra kanë ndërruar jetë në periudhën prej vitit 2012 deri në vitin 2016 nga kanceri në qafën e mitrës.
REJHANE BUSHI METAJ
