Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale, partitë të angazhuara rreth kandidaturave

04.02.2019 17:30

Deri më tani pothuajse të gjitha subjektet politike kanë paralajmëruar se do të dalin me kandidatin e tyre për president të shtetit...

Nga LSDM kandidatin e tyre do ta caktojnë nëpërmjet shpalljes publike. Në këtë shpallje theksohen katër kriteret të cilat duhet t’i plotësojnë kandidatët edhe atë: Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë – LSDM. 
 
“Të jetë person me dinjitet të lartë publik, të jetë i aftë për të kryer punë në pozita të larta shtetërore, të ketë përkrahje të madhe nga simpatizantët, organet dhe votuesit e LSDM-së dhe e fundit të jetë personalitet i cili në mënyrë më të mirë të mundshme do ta jetësonte politikën e LSDM-së dhe do të punojë në realizimin e prioriteteve strategjike të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim të plotë në NATO dhe BE, si dhe për afirmimin sa më të lartë ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë”. 
 
Kandidatët e interesuar do të mund të aplikojnë deri më 19 shkurt, ndërsa zgjedhjen përfundimtare të emrit të kandidatit do ta bëjnë më datën 3 mars. 
 
Kurse nga VMRO-DPMNE vetëm kanë pranuar se janë paraqitur 8 kandidatë në konkursin e shpallur. BDI ka pohuar se të gjitha opsionet janë të hapura duke mos përjashtuar as ndonjë kandidat të përbashkët me LSDM-në e as me partitë shqiptare. 
 
Kurse Lëvizja Besa e Bilall Kasamit dhe ASh e Zijadin Selës mund t’i bashkojë kandidatura e Ilaz Kadriut nga diaspora, ndërsa akoma pa qëndrim janë Besa e Afrim Gashit dhe PDSh-ja. 
 
Procedurë për kandidat të tyre kanë nisur edhe nga Partia Liberal Demokrate, të cilët kanë pohuar se mundësitë janë lënë të hapura të bashkëveprojnë edhe me LSDM-në.                                                                                                                
“Në varësi prej ofertave të kandidatëve të cilët do t’i pranojmë, do të vendosim a do të shkojmë të vetëm në këtë garë, apo do t’i bashkëngjitemi kandidaturës nga LSDM, siç mund edhe LSDM ta përkrah kandidaturën tonë”,- thuhet nga LDP.                                       
                            
Ndërsa si kandidat të mundshëm i LDP-së përflitet emri i ish deputetes, Angela Peeva Llaurentiç. Kandidaturën e tij sot e ka bërë publike edhe deputeti, Amdi Bajram, i cili kërkon mbështetjen edhe të shqiptarëve.                     
                                                                                                       
“Do të kërkoj nga të gjithë, përfshi edhe shqiptarët. Nga të gjithë që nuk kanë kandidat. Dua të më mbështesin të gjithë qytetarët. Do t’i grumbulloj 10 mijë nënshkrime. Si fillim do të hapim një faqe në Facebook, do të punojmë me “like””,- tha kryetari i Lidhjes së Romëve të Maqedonisë, Amdi Bajram. 
 
Edhe Partia turke në Maqedoni ka theksuar se është koha që Maqedonia të ketë një kandidat për kryetar nga nacionaliteti turk. 
 
Kurse kandidaturë kanë paralajmëruar se do të nxjerrin edhe Samka Ibrahimovski nga Partia për Emancipim të Romëve, por interesim ka shfaqur edhe profesori, Jove Kekenovski, i cili është nga fraksioni i deputetëve të shkëputur nga VMRO-DPMNE-ja. 
 
Ndërsa Koalicioni “Maqedonia bllokon”, garën do ta bëjnë me kandidatin e tyre, Filip Petrovskin. Nga VMRO-DPMNE në moment të fundit kanë gjasa të dalin me emrin e Gordana Siljanovskas, e cila do të thithte vota edhe të anëtarëve jashtë partisë, ndërsa tek LSDM emrat më të përmendur mbeten Radmilla Shekerinska, Nikolla Dimitrov dhe koordinatori nacional për NATO, Stevo Pendarovski.     
 
FITIM KRYEZIU