Maqedoni
Ligji i mediave/Kodi Zgjedhor, ligjet pësojnë ndryshime të reja. Kuvend, Bogoevski kërkon t’i merret imuniteti Dimovskit
04.02.2019 17:48
Ligji i shumëdebatuar i mediave pësoi ndryshime të reja. Kuvendi me procedurë të përshpejtuar miratoi ndryshimet...

Ligji i shumëdebatuar i mediave pësoi ndryshime të reja. Kuvendi me procedurë të përshpejtuar miratoi ndryshimet dhe plotësimet e ligjit që u sollën në fund të 2018-s, në pjesën e regjistrimit të serviseve programore, planin financiar të RTVM-së si dhe reklamimin e serviseve private në servisin publik.
Propozuesit thanë se ndryshimet janë të nevojshme dhe për t’u zbatuar nuk kërkojnë shpenzime shtesë financiare.
“Me nenin një bëhet harmonizimi i afatit për planin financiar të RTVM-së. Me nenin dy shtohet zbatimi i obligimeve nga të gjithë operatorët për regjistrim të serviseve programore të vendit dhe të huaja. Me nenin tre harmonizohet afati i reklamimit të filluar të stacioneve private në RTVM. Janë ndryshime që nuk kërkojnë financa shtesë për zbatimin e ligjit”,- tha Dime Vellkovski nga LSDM.
Me procedurë të përshpejtuar kaluan edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, midis tjerash KShZ-së i hiqet obligimi që të monitorojë portalet gjatë zgjedhjeve.
“Me nenin një fshihet dispozita që KShZ të bëjë monitorim të mediave elektronike, portaleve gjatë zgjedhjeve, pasi që realisht nuk kanë kushte të kryejnë kontrollin. Me nenin dy obligohet që Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuele të dorëzojë raport për programin e paguar politik të partive me financa të parashikuara nga buxheti”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohëm kryetari i Komisionit për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit, Pavle Bogoevski, kërkoi që t’i merret imuniteti deputetit, por dikur ministër i bujqësisë, Lupço Dimovski.
Ai dyshohet për shpërdorim të detyrës zyrtare në Ministrinë e Bujqësisë gjatë ndarjes së ndihmave bujqësore dhe dhënies me qira të tokës bujqësore, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit për 1.4 milion euro.
Vendimi do të merret ditëve në vijim në seancë plenare.
MERAL ISMAILI
