Maqedoni
Kuvendi në kërkim të “xhelatëve” të korrupsionit
04.02.2019 18:05
Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve vazhdoi realizimin e intervistës me kandidatët e paraqitur në Konkursin...

Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve vazhdoi realizimin e intervistës me kandidatët e paraqitur në Konkursin për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit.
Deri më tani, janë intervistuar rreth 20 kandidatë nga gjithsej 80 kandidaturat e paraqitura. Kandidatët janë të profileve dhe me përvoja të ndryshme.
Prokurori publik, Nikolla Doblev, konkurron vetëm për postin kryetar i Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit. Premton zgjidhjen e rasteve që, sipas tij, ndër vite qëndrojnë nëpër sirtarët e këtij trupi.
“Sa më përket mua, asnjëherë nuk jam gjetur në ndikime korruptive. Punoj në bazë të fakteve dhe dëshmive dhe jo në bazë të mitmarrjes ose premtimit. Punoj me fakte dhe dëshmi, sepse opinioni është prezent në çdo gjë, çdoherë ka kontroll nga organet më të larta. Do të ishte çmenduri të futem në këtë çështje që mund të më kushtojë edhe karrierë”,- theksoi kandidati për kryetar të KShPK-së, Nikolla Doblev.
Kandidatja, Dona Dimov-Markovska, ka përvojë në sektorin civil dhe bazuar në analizat hulumtuese për projektin “Shkupi 2014”, ngre dyshime për rraste korruptive të më shumë niveleve.
“Kemi shembuj kur anekset që janë plotësuar gjatë furnizimeve publike parashohin shuma të mëdha dhe kështu është bërë gjatë gjithë kohës së ndërtimit të objekteve. Nuk janë të përfshirë vetëm zyrtarë të lartë, nuk janë përfshirë vetëm persona nga sektori privat, por edhe persona që kanë punuar në agjenci shtetërore, në vetëqeverisje lokale, të gjithë ata kanë kontribuar që të ketë dëmtim të buxhetit të shtetit”,- tha kandidatja për anëtare e KShPK-së, Dona Dimov- Markovska.
Nga gjithsej 80 kandidaturat e paraqitura, 22 nuk i plotësojnë kushtet, ndërsa një aplikacion është tërhequr para kohe. Intervistimi i kandidatëve pritet të përfundojë deri të mërkurën, Kuvendi të zgjedh përbërjen e re të Komisionit, përkatësisht kryetarin dhe gjashtë anëtarët, me mandat pesëvjeçar.
SHPËTIM NUREDINI
