Maqedoni

Klinika e Gjinekologjisë në Çair, Shilegov: mund të mbyllet për shkak të ndotjes. Shurdhani: kemi alarmuar te institucionet

04.02.2019 18:33

Klinika e Gjinekologjisë “Nënë Tereza” në Çair ka afat 30-ditor për të ndërruar kaldajën e ngrohjes me mazut...

Klinika e Gjinekologjisë “Nënë Tereza” në Çair ka afat 30-ditor për të ndërruar kaldajën e ngrohjes me mazut, në të kundërtën do të mbyllet për shkak të ndotjes së ajrit.
 
Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, tha se inspektorati dy herë ka konstatuar që këto oxhaqe ndotin ajrin, prandaj inspektorati ia ka dhënë afatin e fundit.
 
“Inspektorati deri më tani dy herë ka intervenuar në Spitalin e Gjinekologjisë në Çair. Sot për herë të tretë inspektorati ka shkuar atje për t’u dhënë vërejtjen e fundit autoriteteve të spitalit, por edhe të Ministrisë së Shëndetësisë për të ndërruar kaldajën. Përderisa nuk e bëjnë këtë, Spitali do të mbyllet nga ana e Qytetit. Nuk duam të shkaktojmë ndonjë krizë, megjithatë duhet patjetër që secili të jetë përgjegjës ndaj obligimeve të veta”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Zëdhënësi, Ilir Shurdhani, pranon se gjatë dimrit spitali djeg 20 ton mazut në muaj, prandaj drejtoria e kësaj klinike ka kërkuar ndryshimin e sistemit të ngrohjes, për çka janë të nevojshme 150 mijë euro.
 
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo nuk po ndodh prej tash. Sidomos prej dy vjetëve të fundit situatën e kemi të qartë, duke e alarmuar nëpër të gjitha institucionet relevante. Mazuti nuk është diçka që po ndodh para dy vjetëve, por që nga themelimi i Spitalit në vitin 1965. Dhe është mënyra e vetme për sigurimin e ujit të ngrohtë për foshnjat, lehonat dhe nënat shtatzëna”,- tha zëdhënësi i Klinikës së Gjinekologjisë “Nënë Tereza” – Çair, Ilir Shurdhani.
 
Nga Klinika e Gjinekologjisë në Çair thonë se në këtë spital kryejnë 4 mijë lindje në vit, prandaj kërkojnë nga kompetentët që sa më parë të rregullohet kjo çështje, që të shmanget vendimi eventual për mbylljen e spitalit. 
 
NAIM RAMADANI