Maqedoni
“Titanik 3”, tërhiqet gjykatësja, Olja Ristova
04.02.2019 20:00
Gjykatësja, Olja Ristova, është tërhequr nga rasti “Titanik 3”. Gjykata e ka pranuar kërkesën e Ristovës...

Gjykatësja, Olja Ristova, është tërhequr nga rasti “Titanik 3”. Gjykata e ka pranuar kërkesën e Ristovës, e cila ka thënë se tërhiqet me arsyetimin se ndaj saj kanë kryer trysni të drejtpërdrejtë dhe kjo ka sjellë në pikëpyetje pavarësinë e saj dhe paanshmërinë gjatë veprimit, që ka hapur dyshim në opinion.
Ristova për tërheqjen i referohet një deklarate të prokurores speciale, Katica Janeva, e cila ka theksuar se gjykatësja ka lejuar kërcënime ndaj prokurorëve nga ana e avokatit të të akuzuarve.
Gjykatësja Ristova vlerëson se me këtë ndikim të pabazuar mediatik për një lëndë për të cilën edhe ashtu çdo debat zhvillohet në prani të përfaqësuesve të mediave, OJQ-ve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend, bëhet presion i drejtpërdrejtë dhe vihet në pikëpyetje pavarësia dhe paanshmëria e saj në veprim, gjë që shkakton dyshime në publik.
Në këtë drejtim, Gjykata i kupton këto deklarata të PSP-së si një përpjekje për presion të drejtpërdrejtë ndaj gjykatëses, thonë nga Gjykata Penale.
Edhe prokurorja, Fatime Fetai, ditë më parë deklaroi se avokati, Mefail Arslani, i cili e mbron të pandehurin, Ejup Alimin, e ka kërcënuar prokurorin, Gavril Bubevskin, ndërsa ky i fundit ka ngritur kallëzim penal kundër avokatit.
Gjykata Penale në Shkup informoi se lënda në pajtueshmëri me sistemin AKMIS do t’i ndahet për procedim të mëtutjeshëm ndonjë gjykatësi tjetër.
Me këtë vendim, ky gjykim për herë të dytë do të fillojë nga e para pasi që paraprakisht Gordana Spirevska u ndërrua në të njëjtën lëndë.
Në rastin “Titanik 3”, Ejup Alimi dhe Ismet Gurin akuzohen se në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë përmirësuar rezultatet zgjedhore.
