Maqedoni

“Freedom House”: Maqedonia, vend pjesërisht i lirë

05.02.2019 11:01

Raporti i Freedom House, edhe sivjet, e radhit Maqedoninë në mesin e vendeve pjesërisht të lira, me 59 pikë nga 100 të mundshmet....

Të drejtat e njeriut në raport vlerësohen me 3.5 pikë nga 7 të mundshme, të drejtat politike me 4 pikë nga 7 të mundshme, liria në përgjithësi me 3 pikë nga 7 të mundshme. Këtë vend, Maqedonia e mban  së bashku me Shqipërinë që ka 68 pikë, Serbinë me 67 pikë, Malin e Zi me 65 pikë. Pas nesh në rajon janë radhitur Kosova me 54 pikë dhe Bosnjë e Hercegovinën me 53 pikë,  thuhet  në raportin “Liria në botë 2019”, të publikuar nga Freedom House – grup joqeveritar, me seli në Uashington. 
 
Serbia, nga vendi i lirë në raportin e një viti më parë, sivjet u gjend  në kategorinë “pjesërisht e lirë”, për shkak të parregullsive zgjedhore, sulmeve ndaj gazetarëve të pavarur dhe mbledhjes de facto të kompetencave jashtëkushtetuese nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiq. Në Malin e Zi, presidenti Millo Gjukanoviq vazhdon  ta konsolidojë pushtetin shtetëror rreth vetes dhe klikës së tij, duke shmangur standardet themelore të qeverisjes së mirë dhe duke tejkaluar rolin e tij kushtetues.
 
“Vladimir Putin i Rusisë dhe Ilham Aliyev i Azerbajxhanit i kanë siguruar mandatet e reja presidenciale, duke përfituar nga taktikat me duar të fuqishme, përfshirë shtypjen e mediave të pavarura dhe të shoqërisë civile, abuzimin e burimeve shtetërore dhe persekutimin e kundërshtarëve të mirëfilltë politikë”, analizon  Freedom House.
 
Raporti i bën një vlerësim të veçantë gjendjes së demokracisë në SHBA, ku në vitin 2018, ka pasur rënie të sundimit të ligjit që e ka vënë demokracinë amerikane “në nivel me Greqinë, Kroacinë dhe Mongolinë” dhe nën demokracitë si Gjermania dhe Britania. Nga 195 vendet e vlerësuara nga Freedom House, 86 janë të lira, 59 pjesërisht të lira dhe 50 jo të lira.
 
Në grupin e parë bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar e të tjera, ndërsa në fund të listës, më së paku të lira janë: Siria, Sudani Jugor, Eritrea, Turkmenistani dhe Koreja e Veriut.