Botë

Pakistan, kampet e refugjatëve nën rrezikun e epidemive

22.08.2014 14:46

Rreth një milion njerëz janë shpërngulur nga Vaziristani i Veriut, pasi Armata në Pakistan filloi operacionet më 15 korrik kundër militantëve...

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka ndërmarrë një aksion të gjerë ndihmash ushqimore dhe veshmbathje, por refugjatëve po u kërcënohen të tjera rreziqe, Diarreja dhe Dehidrimi.
 
Shumica prej të shpërngulurve nuk kanë asgjë me vete. Popullsia në qytetin Banu, është dyfishuar dhe ekipet e ndihmave janë tepër të zënë me punë, për tu siguruar të sapoardhurve gjërat kryesore për mbijetesë. 
 
“Shqetësimi më i madh është se këta njerëz asnjëherë në jetë nuk kanë marrë ndonjë vaksinë. Kjo bën që edhe sëmundja më e vogël infektuese për ta të kthehet në problem vërtetë të madh. Ka shumë bakterie që janë vërtetë të rrezikshme për jetën e tyre tani. Aktualisht ne përballemi me refugjatë ndër të cilët  73 % janë fëmijë apo gra”- deklaroi dr. Mohammad Asif Khan nga  OBSH.
 
“Vajza ime ishte shumë e sëmurë bashkë me beben e sapolindur. Nuk jemi të sigurt nëse do të mbijetojë apo jo”- u shpreh refugjati Pashto Shaheena.
 
“Dy vitet e fundit, për shkak të talibanëve nuk kemi dhënë asnjë vaksinë atje. Të gjithë këta fëmijë po marrin tani vaksinën e Polios, por nuk ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë”- theksoi Asad Murad nga UNICEF.
 
Në kampet e refugjatëve, kushtet e vështira për jetë shtojnë çdo ditë rrezik për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, veçanërisht te fëmijët.
 
ADNAN HAJDARI