Botë
Japoni, shirat pengojnë operacionet e shpëtimit
22.08.2014 14:49
Shirat e dendura kanë penguar operacionet e shpëtimit në prefekturën e Hiroshimës në Japoni...

Shirat e dendura kanë penguar operacionet e shpëtimit në prefekturën e Hiroshimës në Japoni, ku pak ditë më parë, një rrëshqitje masive toke u mori jetën 39 personave.
Numri i personave të humbur është rritur ndërkohë në 51, deklarojnë autoritetet lokale, pas bilancit të fundit të bërë nga Policia dhe skuadrat e shpëtimit.
Sipas Agjencisë së Lajmeve “Kyodo”, rreth 3 mijë anëtarë të ekipeve të emergjencave po punojnë në zonë, por shiu i së enjtes bëri që të pezulloheshin kërkimet.
Shirat e rrëmbyeshme kanë sjellë gjithashtu evakuimin e rreth 100 mijë banorëve, ndërkohë që autoritetet druhen se rrëshqitje të tjera mund të ndodhin në orët e ardhshme.
Rrëshqitjet erdhën pasi mesatarja mujore e shiut ra në 24 orë të vetme mëngjesin e së mërkurës, deklaroi Agjencia Meteorologjike japoneze.
Shumë shtëpi në zona të banuara, pranë një mali në rrethinat e Hiroshimës, u mbuluan nga dheu.
Duke parë numrin në rritje të viktimave, bilanci real i tragjedisë mund të rritet. Mes personave të vdekur është edhe anëtari i një Skuadre Shpëtimi, që vdiq kur një rrëshqitje e dytë toke u verifikua pasi ai u kishte ardhur në ndihmë disa banorëve.
Ngjarja ndodhi teksa ai po përpiqej të shpëtonte një fëmijë të vogël dhe babanë e tij, të cilët u përfshinë gjithashtu nga rrëshqitja e dytë e baltës.
Sipas korrespondentëve të medieve të huaja, dyshohet se numri i fëmijëve të përfshirë në këtë ngjarje të jetë i madh. Shumica e zonave qendrore dhe jugore të Japonisë janë malore dhe shumë shtëpi ndodhen në terrene të pjerrëta.
FARIJE DAUTI-BAKIU
