Maqedoni

Ndryshimet në ligjin për mediat, ShGM: Lënë hapësirë për manipulim në media

05.02.2019 15:17

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, reagon ndaj ndryshimeve të fundit të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele dhe të Kodit Zgjedhor...

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë,  reagon ndaj ndryshimeve të fundit të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele dhe të Kodit Zgjedhor, të cilat dje kuvendi i miratoi me procedurë të shkurtuar.
 
Ndryshimet janë ndërrmarë pa konsultuar bashkësinë e gazetarëve, akuzojnë nga SHGM.
 
“Ndryshimet që i referohen nenit 102 , në pjesën e ndalimeve të reklamimit , mundësojnë që institucionet publike në nivel qendror dhe lokal,  të vazhdojnë t’i financojnë radiodifuzerët nëse kanë kontratë të nënshkruar  paraprakisht e që vlen edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kjo lë hapësirë, që ky nen i ligjit,  lehtë të abuzohet dhe në të ardhmen t’u paguhen para publike mediave, pavarësisht nga ndalimi deklarativ i tyre", thonë nga SHGM.
 
Ndryshimet e fundit, vërtetojnë dyshimet tona se Qeveria edhe më tutje dëshiron t’i financojë radiodifuzerët privatë pa kurfarë kriteresh, gjë që sjell në pyetje pavarësinë e politikës editoriale të këtyre mediave, thonë nga SHGM, duke përkujtuar se edhe Kodi Zgjedhor në pjesën e fushatave zgjedhore, parasheh që fushatat politike të paguhen në mediat private drejtpërdrejtë nga buxheti shtetëror.
 
Sa kohë që me para publike, paguhen fushatat e partive politike, cenohet pavarësia e mediave dhe mënyra se si ato do të paraqesin kandidatët para publikut gjatë fushatave zgjedhore, e kjo mund të ndikojë edhe në rezultatet e zgjedhjeve, thonë nga SHGM. 
 
GYLTENE SINANI