Takimi Tsipras-Erdogan, dy orë bisedime e asnjë marrëveshje
Për më shumë se dy orë në pallatin presidencial në Ankara...

Për më shumë se dy orë në pallatin presidencial në Ankara, kryeministri Tsipras, dhe presidenti i vendit Erdogan kanë biseduar shumicën e çështjeve për të cilat ndajnë mendime të kundërta, e që shpeshherë acarojnë edhe më tepër marrëdhëniet e trazuara midis dy vendeve fqinje.
Dy udhëheqësit kanë rënë dakord të mbajnë të hapura linjat e komunikimit, duke zgjidhur problemet që përballojnë përmes dialogut.
“Duhet të kemi një dialog të sinqertë, të rëndësishëm jo vetëm për të ardhmen e dy popujve tanë, por edhe për rajonin në tërësi”, tha Tsipras.
Por, në konferencën e përbashkët për shtyp, Erdogan ka kërkuar hapur deportimin e 8 ushtarakëve turq, të arratisur në Greqi pas tentativës për grusht shteti.
Përgjigjja e kryeministrit grek ka qenë se qeveria e tij respekton në këtë aspekt vendimet e drejtësisë. Gjithashtu, kur ka përmendur çështjen e minoritetit mysliman në Trakë, presidenti turk i ka quajtur pjesëtarët e tij homogjenë. Ndërsa nga ana e tij, Tsipras ka hedhur në tryezë, duke kërkuar zgjidhje, çështjen qipriote.
Të pyetur nga gazetarët, Erdogan dhe Tsipras kanë theksuar se vërtet në këtë takim nuk kanë nënshkruar ndonjë marrëveshje, por kanë rënë dakord për uljen e tensioneve në Egje dhe për masat që do të sjellin përsëri besimin midis dy vendeve, sidomos për të rritur marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike.
