Trump bën thirrje për unitet, “muri me Meksikën e bën Amerikën më të sigurt”

06.02.2019 13:01

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump....

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, mbajti fjalimin e dytë para kongresit mbi gjendjen e vendit, vetëm disa ditë pas hapjes së qeverisë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u fokusua në mbrojtjen e interesave të qytetarëve amerikanë.

Trump kërkoi bashkim dhe e quajti të domosdoshëm ndërtimin e murit me Meksikën. Ai tha se asgjë nuk e dëshmon më qartë ndarjen e thellë mes klasës politike dhe klasës punëtore amerikane se sa imigracioni.

“Sot ju bëj thirrje të mbroni kufirin jugor të vendit tonë në emër të dashurisë për njerëzit tanë. Politikanë që jetojnë në lagje të mbrojtura, pas hekurave, nuk duan t’ia dinë për klasën punëtore amerikane, që preket nga mbingarkimi i shkollave, i spitaleve, rreziku ndaj jetës, ndërkohë që pagat e tyre dëmtohen nga konkurrenca e emigrantëve. Thënë më thjesht, muret funksionojnë dhe muret shpëtojnë jetë. Prandaj, le të punojmë së bashku, të bëjmë kompromis dhe të arrijmë një marrëveshje që do ta bëjë vërtet më të sigurt Amerikën”,- tha Trump. Presidenti amerikan foli edhe për Rusinë, duke siguruar se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë një sistem për mbrojtjen nga raketat e modernizuara, pas tërheqjes nga traktati për armët bërthamore.

Donald Trump u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje për tregtinë me Kinënn marrëdhëniet me të cilën janë përkeqësuar shumë gjatë muajve të fundit.