Anëtarësimi në NATO, Bekteshi: Përfiton edhe sektori i turizmit
Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sektorë të veçantë të ekonomisë në vend...

Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sektorë të veçantë të ekonomisë në vend. Përveç pritjes për rritje të investimeve të huaja nga anëtarësimi, është prioritet të përfitojë edhe sektori i turizmit.
“Duke u anëtarësuar në strukturat euroatlantike do të rritet edhe numri i investimeve jo vetëm në sektorin e turizmit, por edhe në sektorë të tjerë. Njëkohësisht do të rritet edhe numri i turistëve të huaj të cilën do të vijnë të vizitojnë Maqedoninë, duke pasur parasysh edhe turistët të cilët ne i njohim si turistë transitorë”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
ZHVILLIMI I TURIZMIT NË 2019-N, BEKTESHI: PËRKRAHJE PËR TURIZMIN LOKAL DHE RURAL
Bekteshi potencoi sot masat e ndërmarra nga resori që drejton për zhvillimin e turizmit gjatë vitit 2019, por edhe për përfitimet që të punësuarit dhe kategoritë e tjera të qytetarëve do të kenë me shfrytëzimin e subvencioneve nga qytetarët me të ardhura të ulëta, që do t’u mundësojnë të pushojnë në qendrat turistike në vend.
“Në këtë mënyrë do të rrisim edhe vendet e punës në ato qendra, por njëkohësisht do t’ju ndihmojmë edhe objekteve hotelerike edhe jashtë sezonit, të kenë gjenerim sa më të madh të të hyrave. Do ju ndihmojmë komunave për krijimin e strategjive të reja të cilat do t’u mundësohet atyre që të marrin ndërtimin e duhur sa i përket zhvillimit të turizmit lokal dhe me theks të veçantë atij rural”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Në programin e zhvillimit të turizmit për vitin 2019 nga buxheti janë ndarë 36 milionë denarë. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)
