Maqedonia merr dritën e gjelbër nga NATO, 29 vende nënshkruan Protokollin për aderim

06.02.2019 15:57

Aleanca Veri-atlantike nënshkroi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.....

Përfaqësuesit e 29 vendeve anëtare të NATO-s hodhën firmën në protokollin për anëtarësimin e plotë të vendit tonë, si anëtarja e 30 e Aleancës. Sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, e cilësoi ditë historike për të dyja palët akt që pritej të ndodh për më shumë se 10 vjet. Me nënshkrimin e protokollit pason mbështetja e plotë e vendeve anëtare të NATO-s, ndërsa Maqedonia do të duhet të ndjek politikat e Aleancës dhe të ndajë vlerat e njëjta evropiane, theksoi mes tjerash Stoltenberg.   
 
“Ashtu siç do të vazhdojë procesi i ratifikimit në kryeqytetet e aleatëve, presim që ju të vazhdoni me reformat që të kontribuoni për Aleancën. NATO do të vazhdojë t’ju mbështesë dhe të japë ndihmë për ju. Që sot, përfaqësuesit e juaj do na bashkëngjiten në këtë tryezë dhe do të jenë përfaqësues si vend i ftuar në takimet e NATO-s. Të bërit anëtarja e 30 e NATO-s do t’ju sigurojë stabilitet afatgjatë, suverenitet dhe siguri. Do të ndihmoni politikat e NATO-s dhe do të merrni vendime së bashku me ne dhe njëkohësisht mund të shtyni përpara masat e nevojshme për anëtarësim në BE”,- tha sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Akti i sotëm historik tregon se NATO e ka derën e hapur për të gjitha demokracitë që janë të gatshëm dhe të përgatitura të vazhdojnë qëllimet e Konventës së Uashingtonit dhe për të mbajtur përgjegjësitë e anëtarësimit, theksoi Stoltenberg, pas nënshkrimit të Protokollit.
 
Edhe shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, e quajti ditë historike dhe kurorëzim të angazhimit të më shumë gjeneratave, që nga mëvetësimi i Maqedonisë. 
 
“Ky është një rezultat i punës së shumës gjeneratave dhe detyrim i gjeneratës sonë. Kjo nuk ishte e paevitueshme dhe as e parashikueshme, por ndodhi për shkak të lidershipit të kryeministrit tonë, Zoran Zaev, dhe kryeministrit grek, Aleksis Cipras, të cilët hapën rrugën drejt këtij akti historik, drejt këtij pajtimi i cili dëshmoi se e pamundura bëhet e mundur. Ky udhëtim na maturoi dhe me zhvillimet e fundit dhe ajo që arritëm me fqinjët tanë dëshmuam se mund të marrim përgjegjësinë tonë, të përballemi me problemet dhe t’i zgjidhim ato” ,- theksoi ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
 
Me nënshkrimin e protokollit rrumbullakohet një pjesë e rëndësishme e procesit të aderimit. Tani pason procesi i ratifikimit të Protokollit për aderim në parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të NATO-s. Në ndërkohë, Maqedonia do të merr pjesë në të gjitha takimet e NATO-s, në cilësinë e vendit të ftuar. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu mirënjohje për angazhimin e Maqedonisë në misionet e NATO-s dhe rikujtoi nevojën për vazhdimin e reformave dhe modernizimin e Armatës si dhe rritjen e buxhetit për mbrojtje nga 1% në 2% të BPV deri në vitin 2024.  (Shpëtim Nuredini, TVM2)